Sezoni sportiv, 2020-2021 në volejbollin shqiptar ka qenë nën diktatin e klubit sportiv Partizani. Pas ekipit të femrave me trajner Andi Lundra që u shpall kampion kombëtar një ditë më parë, mbrëmjen e sotme me këtë titull janë kurorëzuar edhe meshkujt që drejtohen nga trajneri Ylli Tomorri.
E thënë në terësi, duke përfshirë edhe dy trofetë për femra dhe meshkuj të fituar pak kohë më parë në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, Partizani me të drejtë zë vend në majën e volejbollit shqiptar.
Referuar titullit kampion kombëtar të meshkujve, statistikat bëjnë të ditur se ky është titulli i pesëmbëdhjetë në historinë e volejbollit shqiptar. Trofeu i sotëm u bë i mundur pasi Partizani mundi në finalen e tretë Erzenin e Shijakut me rezultatin e pastër 3-0, respektivisht me sete 25-18, 25-19 dhe 25-23, dhe 3-0 në ndeshje totale, ndeshje kjo e luajtur në sallën olimpike “Feti Borova” të kryeqytetit.
Medaljet dhe Kupën për skuadrën fituese i ka shpërndarë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, zevendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Dashamir Brari, si dhe anëtari i kryesisë Ilia Vasili.