Vllaznia U21-Teuta U21, 1-0(Shënues: Arval Maliqi 83’)
Vllaznia U21 ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionatin e Superligës së kësaj grupmoshe. Pas asaj të regjistruar në transfertë me Korabin e Peshkopisë, skuadra e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi fitoi sot edhe ndaj Teutës së Durrësit.
Ndeshja e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ka pasur vetëm një protagonist. Ai është Arval Maliqi, i cili përpos golit të fitores të realizuar në fundin ne takimit, spikati edhe me gjuajtjet e tij potente, dy prej të cilave goditen shtyllën horizontale të portës durrsake të mbrojtur nga portjeri Ardian Prenga.
Një përformancë kjo speciale në priznin personal për mesfushorin kuqeblu, i cili natyrisht që është një mesazh i drejtpërdrejt edhe për pjesëtarët e stafit teknik të ekipit të parë për t’i dhënë më shumë hapësira gjatë periudhës në vazhdim.
Ndërkohë, sa i përket lojës së skuadrës në përgjithësi duhet thënë se të pranishmit që e ndoqën ndeshjen prej së afërmi nuk mbeten fort të kënaqur nga niveli i Vllaznisë, edhe pse në formacion ishin disa pjesëtarë të ekipit të parë.
Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, edhe minutat e pjesës së dytë vijuan të mbajnë të paprekura rrjetat e të dy skuadrave. Dhe, atëherë kur të gjithë menduan se kjo ndeshje po shkon drejt barazimit, ka qënë mesfushori sulmues Arval Maliqi, i cili shënon golin e avantazhit duke i dhënë fitoren skuadrës kuqeblu me rezultatin 1 me 0.
Me këtë fitore Vllaznia U21, këmben vendet në renditje me ekipin durrsak, i cili përpara kësaj ndeshje mbante vendin e katërt me 1 pikë më shumë sesa Vllaznia, ndërkohë që tre pikëshi i sotëm i kalon kuqeblutë në vendin e katërt me 12 pikë, po aq sa ka edhe vendi I tretë që mbahet nga Bylis. Ndërkohë, tabelën e klasifikimit e kryeson Apolonia me 19 pikë, e ndjekur nga Vora e vendit të dytë me 13 pikë.
(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia U21-Teuta U21,(1-0)
Gaspër MARKU