Vllaznia e basketit ka rikthyer në Shkodër njërin prej basketbollistëve më të mirë kuqeblu por edhe të Shqipërisë, i cili në dy sezonet e fundit luajti për ngjyrat e Teutës së Durrësit.
Një rikthim ky që patjetër e forcon akoma më shumë formacionin e Vllaznisë për sezonin e ri sportiv 2026-2027. Lajmi në fjalë vjen përmes njoftimit zyrtar që Klubi i Basketbollit Vllaznia përcolli sot për publikun.
“RIKTHEHET ELIAN MEMÇAJ!
K.B. Vllaznia mirëpret sërish Elian Memçaj, i cili rikthehet të veshë fanellën kuqeblu!
Një lojtar që e njeh klubin, qytetin dhe peshën e kësaj fanelle. Tashmë, Eliani është gati për një tjetër kapitull me Vllazninë.
Mirë se u riktheve në shtëpi, Elian! ”, shkruhet në postimin në fjalë.
Ndërkohë, më herët, në dispozicion të trajnerit Eni Llazani janë vënë edhe katër basketbollistë të tjerë cilësorë. Bëhet fjalë për katër të huaj, që të katër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ato janë: Milan Mejia, i cili vjen pas një karriere të spikatur në basketbollin universitar amerikan me Loyola Neë Orleans, ku la gjurmë duke vendosur rekordin historik të programit për trepikësha të realizuar. Një guard me gjuajtje të fortë nga distanca, energji dhe intensitet në të dyja anët e parketit, që i bashkohet projektit kuqeblu për dy sezonet e ardhshme.
Errol White, është amerikani i dytë që vishet kuqeblu, i spikatur për forcë, energji dhe prezencë nën kosh, ndërkohë që Myles Watkins eshte organizatori i ri kuqeblu që vjen në Shkodër pas eksperiencës së tij me Bellarmine University, duke sjellë energji, atletizëm, shpejtësi dhe ritëm në drejtimin e lojës, për ta mbyllur me Jayden Ammir Hibbit, një emër i njohur për tifozët shkodranë që rikthehet sërish për të veshur fanellën kuqeblu. Pas eksperiencës së tij të mëparshme në Shkodër, Jayden rikthehet për një tjetër kapitull me Vllazninë, i gatshëm për të dhënë më të mirën e tij për Vllazninë e koshit.


