Sunday, November 24, 2024

Analiza e specialistit të futbollit, Shkëlqim Muça për javën e 28-të të Superiores

Lexo

Analiza e javës së 28-të të Kategorisë Superiore nga Shkëlqim Muça, në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH

Teuta ruan kreun me një fitore në Korçë, Vllaznia nuk përmbahet përballë Apolonisë, Laçi rikthehet tek fitorja në përballjen me Bylisin, Partizani përmbys Kastriotin, ndërsa Tirana barazon me Kukësin. Edhe njëherë Shkëlqim Muça me analizën e tij për javën e 28-të të Kategorisë Superiore në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH. “Vllaznia e ka kaluar periudhën jo. E kishte një periudhë të vështirë dhe tani është rikthyer me rezultate dhe me lojë”.

SKËNDERBEU-TEUTA 0-1: “Tani është shumë e vështirë të fitosh çdo ndeshje po nuk je i impenjuar maksimalisht, sepse të gjithë duan pikë, të gjithë nuk duan të bëjnë hapa të gabuar në këto moment. Jam dakord që tri pikët janë të rëndësishme, por loja e Teutës lë për të dëshiruar, duke marrë dy ndeshjet me Skënderbeun. Duhet të përmirësohet më shumë në aspektin taktik. Duhet të jetë më e mbledhur, më luftarake. Teuta ka shumë lëvizje, kjo do të thotë se diçka nuk shkon. Mendoj se duhet të jetë më stabël. Tri javë është kampionati për Teutën: me Tiranën, Kukësin dhe Vllazninë. Po mori këto, është kampione”.

APOLONIA-VLLAZNIA 0-6:  “Shumë skuadra kanë lënë pikë në Fier, por Vllazninë e pashë shumë kërkuese që në minutat e para. Që në pjesën e parë mund të bënte pesë gola. Një skuadër që ka si objektiv për të dalë kampion, ndeshje të tilla i kërkon që në minutën e parë. Skuadra të tilla të hapin punë, u kanë marrë pikë skuadrave pretendente. Vllaznia tregoi se është një skuadër shumë e karikuar, është për ta patur frikë deri në fund. Djali i Brdariç? Duket që nuk është një lojtar që është marrë se është babai aty, por që ka shumë të dhëna. Do rritet shumë po vazhdoi në kampionatin shqiptar. Vllaznia e ka fituar kampionatin e saj, pavarësisht se çfarë do të ndodhë deri në fund”.

PARTIZANI-KASTRIOTI 3-1:  “Të gjitha ndeshjet janë të vështira në këto moment, sepse të gjitha skuadrat kërkojnë të marrin pikë. Kastrioti e nisi mirë, e vuri në vështirësi me golin e shënuar, po më pas Partizani diti të kthejë ndeshjen, është një skuadër e konsoliduar. Ka rikuperuar edhe lojtarët, ka shumë në dispozicion, fundi i kampionatit e gjen të shëndoshë. Por çdo ndeshje do përkushtim maksimal. Të kuqtë kanë shumë stabilitet në lojën mbrojtëse, por edhe në sulm ka një frymëmarrje më të mirë”.

KUKËSI-TIRANA 2-2: “Ishte një ndeshje e bukur, me sulme nga të dyja krahët. Diçka gabuan edhe gjyqtarët, sidomos anësori. Ishin raste shumë të shpejta, por ishte një ndeshje e bukur nga të dyja skuadrat. Lojë, gola dhe emocione, u kthye rezultati, më pas goli në minutat e fundit ishte spektakolar. Në përgjithësi, një ndeshje e mirë”.

LAÇI-BYLIS 2-1: “Laçin e pashë në vështirësi, sidomos në pjesën e parë, sado që u mundonte, por loja nuk po funksiononte, në shumë gjëra. Ndoshta ngaqë kishte dhe shumë ndryshime, me lojtarë të rinj që kanë luajtur pak. Kur luajnë lojtarë që nuk kanë minuta në këmbë, është një problem, aq më tepër tani. Por e rëndësishme është trepikëshi. Laçi është tronditur pak, nga humbja me Tiranën dhe eliminimi nga Kupa, por duhet ta kuptojë se është akoma në lojë”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img