Vllaznia luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme, siç është ajo përballë Skënderbeut, ballafaqim ky i vlefshëm për javën e 29-të të Kampionatit e 82-të Kombëtar të kategorisë Superiore. Si zakonisht, 24 orë përpara ndeshjes zyrtare, trajneri Thomas Brdariç ka bërë ritualin e tij duke u paraqitur në konferencë shtypi. Në bashkëbisedim me gazetarët shkodranë, gjermano-kroati i pankinës kuqeblu u shpreh optimist për fitimin e tre pikëve. Ndërkohë, lidhur me ndonjë opinion të përhapur rreth mundësisë së ndonjë kompromisi mes dy skuadrave, Kupë-Kampionat, Brdariç përjashtoi në mënyrë kategorike një gjë të tillë.
“Çdo ndeshje e vlerësojmë si një finale, ndeshja ndaj Skënderbeut është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jemi të fokusuar te ndeshja, nuk mendojmë për finalen e Kupës dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në atë ndeshje. Për ne janë të rëndësishme tre pikët ditën e nesërme. Po vjen fundi i sezonit dhe jemi të përqendruar në maksimum. Do mundohemi t’u japim sa më pak shanse ekipeve kundërshtare që të na marrin pikë. Jemi të stabilizuar në mbrojtje, kemi marrë pikë të rëndësishme dhe është rritur morali i skuadrës. Çdo gol është shumë i rëndësishëm për ne. E rëndësishme është që kemi më shumë se 11 lojtarë, për mua është pak e vështirë të vendos se kush do të luajë. Të gjithë po luajnë mirë. Kushdo që do të jetë pjesë e formacionit do të duhet të japë maksimumin”, tha Brdariç.
Në lidhje me objektivin e Vllaznisë në këtë ndeshje, Brdariç tha se skuadra është e karikuar për fitore. “Sigurisht që çdokush që do të fitojë, futet në fushë të marrë pikë. Ne do mundohemi të mos i lëmë asnjë hapësirë, as më të voglën që ata të kenë mundësinë të fitojnë apo të marrin një pikë në Shkodër. Jemi seriozë dhe të vendosur për t’ia dalë me sukses në këtë ndeshje”, theksoi trajneri i kuqebluve. Duke qenë se Vllaznia dhe Skënderbeu janë edhe finalistë të Kupës së Shqipërisë, në opinionin sportiv ka pasur edhe interpretime të tilla për ndonjë kompromis të mundshëm mes këtyre dy skuadrave. Por, që për trajnerin Brdariç, përgjigja është krejt e prerë e shoqëruar edhe me pak ironi: “Sigurisht që ka një marrëveshje, që është për nesër dhe ne do të marrim tre pikët dhe kaq”.