Federata e Futbollit me keqardhje të thellë, mësoi sot lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi.
Sabah Bizi, ikonë e pavdekshme e ekipit të Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, debutoi në futboll që në moshë të re, duke u bërë simbol i talentit dhe përkushtimit. Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij ishte përballja epike me Franz Beckenbauer, në ndeshjen historike Shqipëri-Gjermani të vitit 1967, kur ai ishte vetëm 19 vjeç.
FSHF i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve, miqve të tij dhe komunitetit të futbollit shqiptar.
Edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e legjendës Sabah Bizi.
“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi, një emër i madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit tonë.
Si një ndër ikonat e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ai debutoi në futbollin shqiptar në moshë të re dhe u bë simbol i talentit dhe përkushtimit. Përballja e tij me Franz Beckenbauer në ndeshjen historike kundër Gjermanisë në vitin 1967, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç, është dëshmi e madhështisë së tij në fushën e blertë.
Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi fitoi tituj kampionë dhe kupa, duke i dhënë futbollit shqiptar momente krenarie dhe emocionuese. Edhe pas lënies së futbollit aktiv, ai i qëndroi pranë sportit të zemrës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezave të rinj si trajner dhe drejtues.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi, të afërmve dhe miqve të tij. Futbolli shqiptar humbi një legjendë të vërtetë, por trashëgimia e tij do të mbetet përjetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
Pusho në paqe legjendë!”, – shkruan Presidenti Duka.