Pas humbjes me Egnatian në shtëpi(0-4) se trajneri Gugash Magani deklaroi dorëheqjen nga pozicioni i tij si trajner i Tiranës, por që, drejtuesit e klubit nuk e kishin pranuar atë në ato momente.Ndërkohë, ditën e sotme, duket se situata ka ndryshuar dhe klubi bardheblu sapo ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e teknikut dhe se palët kanë mbyllur bashkëpunimin.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton se ka pranuar dorëheqjen e ish-trajnerit Gugash Magani. KF Tirana njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun Magani. Klubi e falenderon për kontributin dhe përkushtimin e tij në drejtimin e stolit bardh e blu dhe i uron suksese në vijim”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Dhe, menjëherë pas këtij njoftimi, Tirana nuk ka humbur kohë dhe ka prezantuar menjëherë trajnerin e ri, duke rikthyer Bledi Shkëmbin në krye të skuadrës bardheblu, për të vazhduar atë që nisi në fillim të sezonit.
Njoftimi zyrtar i KF Tirana
“Bledi Shkëmbi rikthehet në drejtimin e KF Tirana.
Klubi beson në vazhdimësinë e projektit të nisur në fillim të sezonit, duke i’a besuar drejtimin e skuadrës Bledi Shkëmbit, i cili është njohësi më i mirë i kontingjentit aktual në ekip.
KF Tirana i uron suksese trajnerit dhe rikthim sa më të shpejtë te rezultatet e shumëpritura nga komuniteti bardheblu”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Kujtojmë që Shkëmbi firmosi me Tiranën në fillim të sezonit dhe u largua nga drejtimi i bardhebluve në përfundim të javës së 12-të (11 pikë në 12 ndeshje kampionat).