Basketboll Femra-Vllaznia humbet në shtëpi me Partizanin 58-74

Vllaznia-Partizani 58-74(11-18, 11-19, 22-14, 14-23)

Vllaznia e basketbollit femra, e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa, ndeshjen e javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të kategorisë parë e ka luajtur në shtëpi duke pritur ekipin e Partizanit.

Dy skuadra që rivalizojnë në katërshen e parë të renditjes me Partizanin e vendit të tretë me 17 pikë dhe Vllazninë e katërta me 15 pikë, ndërkohë që Flamurtari dhe Tirana kryesojnë me pikë të barabarta, nga 21.

Një fitore e  mundshme e Vllaznisë në përballjen direkte me Partizanin i jepte shansin skuadrës kuqeblu të këmbente vendet me Partizanin, por humbja në shtëpi me rezultatin 58-74 e ka thelluar akoma më shumë diferencen e Partizanit të vendit të tretë. Madje, me fitoren e thellë të Teutës në transferte me Elbasanin 69-104, Vllaznia e basketbollit femra zbret në vendin e pestë të renditjes duke ia lënë të katërtin durrsakeve.

Referuar ecurisë së takimit, ndeshja e luajtur pasditen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ka prezantuar një Vllazni të pafuqishme për të përballuar Partizanin.

11-18 perioda e parë në favor të Partizanit, 11-19 e dyta sërish në favor të Partizanit që mbyll pjesën e parë në avantazh 22-37.  Perioda e tretë jep një shkëndi të Vllaznisë, e cila fiton 22-14, por dorëzohet totalisht në periodën e katërt duke u mundur 14-23, dhe në këtë mënyrë e gjithë ndeshja mbyllet me fitoren e merituar të Partizanit me rezultatin 58-74.

Ashtu si edhe në ndeshjet e mëparshme, spikatjen më të madhe në ekipin kuqeblu e bëri Bernada Reshpja, e cila shënoi 23 pikë në këtë ndeshje e ndjekur nga Sindi Kryeziu me 16 pikë, por që nuk mjaftuan të frenojnë humbjen ndaj Partizanit 58-74.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu