Në harkun kohor të një jave, Vllaznia e futbollit të femrave zhvilloi ndeshjen e dytë miqësore ndërkombëtare. Pas fitores me rezultatin 3 me 0 ndaj Buduçnostit të Podgoricës së Malit të Zi, pasditen e sotme skuadra kuqeblu ka barazuar me rezultatin 1 me 1 me kampionen e Kosovës, Mitrovica.
Ashtu si edhe ndeshjen e parë, edhe të dytën, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka e zhvilloi në kompleksin sportiv të Ulqinit, aty ku skuadrat kundërshtare, Buduçnost dhe Mitrovica janë duke zhvilluar fazën përgatitore dimërore.
Këtë radhë, përballë njëra tjetrës kanë qënë dy skuadrat kampione, të Shqipërisë dhe Kosovës, ku që të dyja kanë një përvojë të mirëfilltë në arenën ndërkombëtare. Ndaj, edhe rivaliteti në fushën e lojës ka qënë i pranishëm, rivalitet i cili u shoqërua me një barazim pa gola, 0-0 në pjesën e parë dhe me dy gola nga secila skuadër në të dytën duke bërë që i gjithë takimi të mbyllet në barazim, 1 me 1.
E veçanta e kësaj ndeshje, është se golin për skuadrën kuqeblu e ka shënuar kapitenia Ezmiralda Franja, e cila pak ditë më parë u shpall fituese e trofeut ‘Topi i Artë 2024”. Gol, i cili ka ardhur pikërisht në një ditë feste për Franjen, atë të ditëlindjes, të cilën e ka shijuar me një ceremoni festive organizuar në qytetin e Ulqinit me praninë e skuadrës kuqeblu, por edhe të asaj kundërshtare.
(Video) Pamje nga ndeshja miqësore e futbollit femra, Vllaznia-Mitrovica e luajtur në Ulqin. Barazim 1-1(4 shkurt 2025)