Boksieri shkodran Nelson Hysa është në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme në kategorinë e boksit profesionist. Më datë 8 shkurt, në ringun e Manchester Co-OP Arena do të zhvillohet një turne i rëndësishëm i boksit profesionist, pjesë e të cilit do të jetë edhe ndeshja e boksierit shkodran Nelson Hysa, i cili do të boksojë përballë boksierit nga Maqedonia e Veriut, Todorche Cvetkov.
Trajneri i Vllaznisë dhe i kombëtares së Boksit, Lazarin Vila, i cili do të shoqërojë boksierin Hysa në turneun e Anglisë së bashku me kryetrajnerin Zef Gjoni, bën të ditur se forma sportive e Hysës është në lartësinë e duhur.
Me një bilanc pozitiv, 19 ndeshje, 19 fitore, trajneri Vila beson shumë se mbrëmjen e së shtunës Hysa do të regjistrojë fitoren e 20-të radhazi.
Në mbyllje, trajneri Vila, shton se pas përfundimit të turneut të Anglisë, aktiviteti i radhës për boksin profesionist, i gërshtuar edhe me atë olimpik, do të jetë me datë 26 shkurt në Tiranë, aktivitet në të cilin do të ngjiten në ring edhe dy boksierët shkodranë, Arjon Kajoshi dhe Senad Drini.
(Video) Prononcimi i plotë në video i trajnerit të boksit Lazarin Vila përpara nisjes në Angli për sfidën e boksit profesionist, Nelson Hysa-Todorche Cvetkov.