Tirana dhe Vllaznia ballafaqohen të mërkurën në “Selman Stermasi” të kryeqytetit në një klasike të futbollit shqiptar. Për vetë pozitat që kanë në tabelën e klasifikimit, të dyja skuadrat kërkojnë fitoren, Vllaznia për të mbajtur kreun dhe Tirana për të kapur një vend të Kupat e Europës, pse jo edhe për të bërë surprizën e fitimit të titullit. Si zakonisht, një ditë përpara ndeshjes, në kampin kuqeblu vazhdon me korrektësi rituali i organizimit të konferencës për shtyp ku prania e trajnerit Brdariç është thuajse e përhershme përpara gazetarëve sportivë të Shkodrës.
“Tashmë kemi ardhur në fazën finale të kampionatit dhe çdo ndeshje ka rëndësinë e saj. Nesër luajmë ndaj një ekipi që kërkon të na mposhte dhe i ka cilësitë dhe duhet të jemi gati për çdo situatë të krijuar. Superiorja nuk është një kampionat i çuditshëm, por është i fortë. Janë shumë ekipe që mund të mposhtin çdo skuadër. Duhet te jemi të përgatitur, e dimë si duhet të luajmë ndaj Tiranës. Për këtë kemi në dispozicion edhe një seancë stërvitore sot për të përgatitur ndeshjen, si dhe lojtarët që do të hedhim në fushë nga minuta e parë. Ne gjithmonë mendojmë pozitivisht, jemi në pozicion të mirë dhe do të përpiqemi të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Kemi ende shumë për të bërë, nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme, mes dy skuadrave të forta, luajmë jashtë dhe presioni është të kundërshtari.”, tha njëshi i pankinës kuqeblu.
Për gjermano-kroatin e pankinës kuqeblu, Tirana është një kundërshtar i fortë dhe me cilësi, ndaj paralajmëron skuadrën e tij që të ketë kujdes në këtë sfidë shumë të rëndësishme. “Nesër(të mërkurën) të gjithë presin spektakël. Të dyja ekipet kanë cilësi dhe do kërkojnë t’i shfaqin dhe të luajnë futboll. Synimi është të shënojmë, por duhet edhe të mos pësojmë. Duhet të vazhdojmë me punën e mirë dhe nëse e bëjmë do të ruajmë pozitat tona. Do futemi në fushë për fitore, e kemi treguar se mund ta bëjmë këtë.”, vijoi Brdariç.
Dhe, në mbyllje, i pyetur për ndryshimin e stadiumit të ndeshjes, nga “Arena Kombëtare” në “Selman Stermasi”, siç e ka kërkuar vetë klubi bardheblu, Brdariç, tha:”Duhet ta pranojmë vendimin e Tiranës. Nuk ka rendësi ku luajmë, jemi përgatitur për këtë ndeshje. Në këtë ndeshje shkojmë me të gjithë lojtarët dhe me shumë energji, janë të shumtë ata që duan të luajnë të shikojmë kë do aktivizoj”.