Basania-Tërbuni 1-1(Shënues: Egzon Shimaj 68’/Enez Papaj 90+9’)
Basania e Bushatit dhe Tërbuni i Pukës kanë ndarë nga një pike në përballjen e javës së 14-të të Kategorisë së Dytë, Grupi A.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive të Bushatit ishte mjaft e rëndësishme për të dyja skuadrat, vendasit për t’iu larguar fundit të tabelës së klasifikimit, si dhe pukjanët për të mbajtur vendin në mes katër skuadrave të para të renditjes që i sigurojnë fazën finale Plaf-Off.
Një ndeshje shumë e dyluftuar nga të dyja skuadrat, me luftë të ashpër sportive dhe me jo pak tension në fushën e lojës. Pas një pjese të parë të barabartë pa gola, 0 me 0, e dyta nis më mirë për vendasit, të cilët kalojnë në avantazh në minutën e 68-të me anë të Egzon Shimajt, një vendali, i cili pasi ka provuar Vllazninë dhe disa skuadra të kampionatit shqiptar dhe atij kosovar, është rikthyer në vendlindje për realizimin e objektivave të Basanias.
Edhe pas golit të avantazhit, skuadra e drejtuar nga dyshja Erjon Mani-Mario Kola, vazhdon të luajë mirë dhe të rrezikojë në portën pukjane të mbrojtur nga portjeri Enoch Boakye. Ndërkohë, nga ana tjetër, tekniku i miqve nga Puka, Sinan Bardhi shton forcat sulmuese në kërkim të golit të barazimit.
Kapiteni Jurgen Gjini, një ish futbollist i Vllaznisë, së bashku me kolegët e tij këmbëngulin fort për të gjetur golin e barazimit, por gjejnë gatishmërinë e portjerit veteran Eldi Hasani, i cili edhe pse i dëmtuar rëndë vazhdon të sakrifikojë me qëndrimin e tij në fushën e lojës.
Minutat e shtesës mbi shtesë, si rezultat i vonesave të dëmtimeve si dhe ndërrimeve shoqërohen me një tension në fushën e lojës, ku në minutën e nëntë shtesë, pas një këmbëngulje krejt të fundit përpara se arbitri kryesor, A. Kadria të vërshëllejë për mbylljen e krejt ndeshjes, Tërbuni ka të drejtën e një goditje këndi nga e djathta e sulmit të tij.
Pas krosimit në zonën bushatase, topi përplaset tek disa futbollistë deri sa kalon vijën fatale të Basanias, ku goditja e fundit duket se shoqërohet nga ish futbollisti i Vllaznisë, Enez Papaj.
Me shkelmimin e topit nga mesi i fushës për vendasit, vjen vërshëllima e fundit e arbitrit që zyrtarizon barazimin, 1-1, duke lënë të pakënaqur bushatasit, të cilët kontestojnë gjatë trupën gjykuese lidhur me zgjatjen e minutave të shtesës mbi shtesë, të cilat sollën golin e barazimit nga pukjanët.
(Video) Përmbledhje e ndeshjes, Basania-Tërbuni, 1-1. Java e 14, kategoria e 2. Fusha sportive e Bushatit, 8 shkurt 2025, si dhe prononcimet e dy trajnerëve, Erjon Mani(Basania) dhe Sinan Bardhi(Tërbuni).