Elbasanasit, kanë sot ndoshta shansin e fundit për të siguruar një vend në “Final 4”. Ndonëse luajnë në një transfertë të vështirë përballë Egnatias kryesuese dhe kampione në fuqi, do të kërkojnë marrjen e pikëve maksimale, ndërkohë që presin edhe një hap të gabuar të Partizanit që sot përballet në derbin kryeqytetas me Tiranën. Në situatën ku janë elbasanasit, vetëm një fitore i bën punë, ose edhe një pikë, nëse Partizani mundet në derbi nga Tirana. Për këtë ndeshje, trajneri Gvozdenoviç nuk do të ketë të gatshëm as mbrojtësin Esin Hakaj, i cili ka pësuar një dëmtim, duke iu bashkuar kështu Emiljano Mustës dhe Abas Ibrahim, i cili ka mbushur numrin e kartonëve. Në daljen e tij para mediave, në kuadër të sfidës me kampionët, trajneri Ivan Gvozdenoviç pohon se ekipi që ai drejton është gati për të dhënë maksimumin dhe për të dalë me fitore.
PËRGATITJET – “Jemi Elbasani dhe gjithnjë mendojmë për maksimumin. E dimë që përballë kemi një skuadër shumë të fortë dhe e respektojmë, por shohim interesin tonë. Do të luajmë për pikët dhe më pas të shohim, nuk preferoj të flas asnjëherë para ndeshjes, por pas saj. Ajo që di te them është se jemi gati, do të luftojmë në fushë për pikët maksimale”, theksoi fillimisht në fjalën e tij serbi i pankinës verdheblu, i cili prej tetë ndeshjesh radhazi nuk e njeh shijen e humbjes me skuadrën që drejton
LLOGARITË – Në situatën ku janë, Elbasani nuk i ka në dorën e vet të gjitha shanset për “Final 4”. Edhe nëse i fiton të gjitha ndeshjet, nëse Partizani nuk gabon, nuk e arrijnë dot. Gjithsesi, Gvozdenoviç nuk sheh shumë se çfarë mund të bëjë kundërshtari, edhe pse janë të detyruar të shpresojnë tek ndalesa e të kuqve. “Sërish nuk komentoj dot, sepse nuk e di sesi do të shkojnë rezultatet e tjera.
Ndoshta një barazim apo fitore dhe ne jemi në rregull, por nuk di se çfarë të them më shumë. Nesër (sot) është një ndeshje e rëndësishme për ne, si të gjitha të tjerët. Nuk shohim kundërshtarët dhe nuk kemi presionin e madh, kemi dëshirë, motiv, ambicie dhe do të provojmë të fitojmë ndeshjen dhe të tentojmë ‘Final 4’. Por kemi katër javë, t’i shohim të gjitha një e nga një. Do të luftojmë, por nuk mund të them dot tani nëse është mjaft me tri pikë apo një pikë, sepse varet nga shumë gjëra”, mbylli prononcimin e tij për mediat kreu i pankinës verdheblu.