Peshëngritje-Kampionatit Europian për të rritur në Kisinau të Moldavisë. Kristi Ramadani, dy medalje të bronzta. Erkand Qeimaj, i katërti në dy garësh

Kristi Ramadani përsëri në podiumin e medaljeve të Kampionatit Europian në peshëngritje për të rritur. Gjithçka ka ndodhur në Kisinau të Moldavisë, ndërsa Ramadani është i bronztë në stilin e shtytjes dhe i bronztë edhe në dygarësh, kjo në peshën deri në 81 kilogram. Dhe ngjitet në podium me vetëm dy prova të sakta nga gjashtë të tilla duke patur dhe fatin brenda.

Në stilin e shkëputjes është i shtati me 151 kilogram, teksa në dy tentativat e tjera dështon në 156 kilogram. Shpërthen në stilin e tij më të fortë, atë të shtytjes, teksa është i treti me 186 kilogram, por mes shumë vështirësive, sepse më parë nuk kishte realizuar as 185 kilogram e as 186 kilogram, kjo në provën e dytë. Ramadani shpëtoi sepse armeni Harutiunuian e mbylli me 185 kilogram, ndërsa dështoi në dy tentativa me 192 kilogram.

Përfundimisht në dygarësh me 337 kilogram është i treti. Pra dy medalje të bronzta nga Kristi Ramadani, kurse Erkand Qerimaj, që ishte i pari në Baterinë B të peshës deri në 81 kilogram, është i teti në stilin e shkëputjes me 150 kilogram, i pesti në stilin e shtytjes me 183 kilogram dhe i katërti në dygarësh me 333 kilogram duke arritur një tjetër rezultat pozitiv. Kështu që e gjithë lavdia e peshëngritjes shqiptare në Europianin moldav përmblidhet me dy medaljet e bronzta të Kristi Ramadanit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu