Një lajm i trishtë vjen nga sporti i bilardos shkodrane. Është ndarë nga jeta në moshën 86-të vjeçare veterani i nderuar i këtij sporti, ish kampioni Nail Alushi. Një e tillë bëhet e ditur vetë kreu i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, i cili me t’u informuar për lajmin në fjalë ka udhëtuar menjëherë drejt Shkodrës, ku në emër të institucionit që ai përfaqëson shpreh ngushëllimet për familjen Alushi.
Nail Alushi, ka meritën kryesore ku së bashku me kolegët e tij të bilardos shkodrane, formuan në vitin 1991, Shoqatën e Bilardos “Alfred Ashiku, duke u zgjedhur kryetari i parë në historinë e kësaj shoqate.
Për sportdashësit shkodranë dhe kryesisht amatorët e sportit të bilardos, Nail Alushi mbahet mend si organizuesi i kampionateve të para të zhvilluara aso kohe në mjediset e lokalit Kafja e Madhe, ku ndërkohë ishte edhe vete konkurues në garë.
Falë pasionit dhe prosionalizmit që shfaqte në sportin e bilardos, Nail Alushi, së bashku me kolegët e tij më të afërt, Malo Ademi, Xhevat Sokoli, Tom Gjini, Ali Quku, etj, gjatë viteve në vazhdim, kampionatet u zhvilluan në sallën e bilardos pranë stadiumit “Loro Boriçi”.duke pasur si drejtues kryetarin e ri të shoqatës Ardian Vorfa, i cili mban njëkohesisht edhe postiun e zëvendëspresidentit të Federatës Shqiptare të Bilardos.
Kampionate këto, që shoqëroheshin edhe me duelet e famshme, sidomos mes treshes Nail Alushi, Malo Ademi dhe Xhevat Sokoli, takime këto që merrnin vemendjen e tifozëve që mbushnin sallën e bilardos.
Është kjo arsyeja, që kjo treshe bilardistësh të njohur të qytetit të Shkodrës, kampion kombëtar në vite, Nail Alushi, Malo Ademi dhe Xhevat Sokoli, u nderuan me 4 dhjetor 2021 me çmimin “Nderi i Federatës Shqiptare të Bilardos”. Vlerësimi për treshen e artë të bilardos shkodrane ka ardhur përmes një ceremonie zyrtare, ku çmimet në fjalë janë dorëzuar nga vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, në prani edhe të sekretarit të federatës, Roland Panozaqi dhe zv.presidentit, Ardian Vorfa.
Kontributi i Nail Alushit për sportin e Bilardos vazhdoj edhe më pas, kur në maj të vitit 2022, u inaugurua salla e re e bilardos shkodrane. Por, që gjatë periudhës së fundit, situata e tij shëndetësore u përkeqësua shumë duke i marrë jetën në moshën 86 vjeçare.
Portali Veriu Sport i përcjell ngushëllimet e sinqerta familjes Alushi për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe shoqatës së bilardos për humbjen një kampioni, si Nail Alushi.
(Video) Prononcimi i bilardistit kampion, Nail Alushi, pas dekorimit me çmimin “Nderi i Federatës Shqiptare të Bilardos”.
Gaspër MARKU