Ashtu si edhe ekipet e tjera të lojrave me dorë, edhe basketbollistët meshkuj të Vllaznisë vazhdojnë të vuajnë mungesën e ndeshjeve të kampionatit. Situata e Pandemisë Globale COVID-19 ka bërë që strukturat shtetërore të mos japin lejen e duhur për zhvillimin e kampionateve kombëtare në këto sporte, gjë që ka detyruar Federaten Shqiptare të Basketbollit të reagojë me një notë proteste kundër vendimit të qeverisë duke kërkuar zhbllokimin e situates në fjalë. Ndërkohë, në pritje të një vendimi pozitiv, në kampin kuqeblu vijojnë përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Afrim Bilali dhe kolegut të tij Ervin Berdica. Dy nga blerjet e para të Vllaznisë në këtë pragsezoni, Daniel Lekndreaj dhe Julian Hamati shprehen optimist që situata të zgjidhet në një kohë sa më të shpejtë dhe skuadrat të zbresin në parketin e pallatit të sportit për fillimin e kampionatit.
Duke folur për VeriuSport, Lekndreaj dhe Hamati theksojnë se pjesen më të madhe të përgatitjes gjatë kësaj periudhe Vllaznia e kanë bërë në terrene jashtë, kryesisht në pisten e stadiumit “Loro Boriçi”, gjë e cila ka rritur ndjeshëm elementet fizike. Ndërsa, më pas, hapja e dyerve të pallatit të sportit i ka dhënë mundësinë atyre dhe kolegëve të tjerë të skuadrës të kompensojnë mangësinë e punës me topin si dhe të përmirësojnë anen teknike dhe atë taktike. Sipas tyre, falë edhe merkatos cilësore të realizuar nga presidenca kuqeblu skuadra ka marrë formën e duhur sportive duke qënë e gatshme për të dhënë më të mirën në fushën e lojës, gjithnjë me objektivin e fitimit të të gjitha trofeve të vitit.
Dyshja në fjalë, Lekndreaj-Hamati ka qënë edhe më heret pjesë e Vllaznisë, por që në sezonet paraardhëse luajtën për skuadra të tjera të kampionatit shqiptar, ndërkohë që me marrjen e presidences nga Alban Xhaferi ato iu përgjigjen pozitivisht ftesës së bërë pë tu riveshur kuqeblu. Krahas dyshes Lekndreaj-Hamati, për Vllazninë këtë sezon kanë firmosur edhe amerikanët Quincy Harding, Ricky Madisom, Danny Lawhorn, Kevin Oberweiser, Amos Harris.
Me këtë kontigjent basketbollistësh duke i shtuar edhe pjesen tjetër të skuadres po aq cilësore dhe me emra shumë të njohur të kampionatit shqiptar, Vllaznia e koshit duket e frikshme për të gjithë kundërshtarët duke vënë seriozisht kandidaturën për trofetë e sezonit, Kupë dhe Kampionat.