Vllaznia përgatitet për Dinamon. Prej së enjtes, kuqeblutë janë zhvendosur në Durrës në pritje të duelit të së dielës për gjysmëfinalen e “Final 4”

Vllaznia dhe Dinamo, do të përballen mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Arena Kombëtare” duke nisur nga ora 20:00 në kuadrin e gjysmëfinales së fazës “Final 4”. Një ditë më vonë, shorti i hedhur pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar që, në të njëjtin stadium dhe në të njëjtën orë do të luhet edhe gjysmëfinalja tjetër, Egnatia-Partizani.

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e pare dhe të dytë, që në këtë rast janë Egnatia dhe Vllaznia.

Pas pushimit dy ditor nga ndeshja me Laçin për javën e 36-të të Superiores, në pritje të sfidës me Dinamon, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Tomas Brdariç kanë  nisur përgatitjet, ku prej dy ditësh kanë zhvilluar dy seancat stërvitore në fushën sportive të Shtojit, ndërkohë që prej pasdites të së enjtes skuadra është zhvendosur në Durrës, ku do të qëndrojë deri mbrëmjen  e dielës në pritje të duelit gjysmëfinal të “Final 4” me Dinamon.

Nga sa bëhet e ditur, grumbullimi në qytetin bregdetar do të shoqërohet edhe me dy seanca stërvitore, të premten dhe të shtunën, ku skuadra do të vendosë përfundimisht në lidhje me formacionin anti-Dinamo.

Përgjithësisht, tekniku Brdariç ka në dispozicion të gjithë lojtarët titullarë, si dhe ato të stolit, prej të cilëve ai pret t’i marrë më të mirën e tyre në këmbim të një fitore kualifikuese për në finale e madhe të “Final 4”.

Nga ana tjetër, në mbështetje të kuqebluve për sfidën e së dielës pritet të jenë një numër i madh tifozësh shkodranë në shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare” të kryeqytetit. Nga sa bëhet e ditur, presidenca e Klubit të Futbollit Vllaznia ka planifikuar vendosjen e autobuzëve falas pa limit për tifozët që preferojnë të udhëtojnë drejt Tiranës për të ndjekur sfidën, Vllaznia-Dinamo, ku krahas atyre që si zakonisht nisen në sheshin pranë stadiumit “Loro Boriçi”, nëse do të ketë organizime tifozësh në njësitë administrative të qarkut Shkodër, grupi organizator merr përsipër që të dërgojë autobuzët dhe furgonët në vendet përkatëse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu