(Intervista) Krymi: Fitorja ndaj Dinamos, e merituar. Vllaznia, të hënën për titull në finale e madhe me Egnatian

Sukses që u garantoi kuqebluve kalimin në finalen e kampionatit, ku tashmë kanë gjithçka në dorën e tyre për triumfin përfundimtar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori shprehet se ky sukses ishte i merituar për shkodranët, ku pavarësisht polemikave, ai thekson se ekipi fitoi gjithçka në fushën e lojës. Në përfundim shkodrani thekson se ekipi është gati dhe i karikuar, ku me tifozët në krah, të hënën në “Arena Kombëtare” do që ta veshë kuqeblu stadiumin.

Krymi, një fitore mes shumë emocionesh kjo kundër Dinamos apo jo?

Patjetër, pasi edhe rëndësia e ndeshjes ishte e jashtëzakonshme. Mendoj se nga fillimi deri në fund u shfaq një nivel i mirë loje nga ana e të dyja skuadrave. Jo më kot janë renditur ndër katër ekipet më të mira të kampionatit dhe kanë cilësi që u treguan edhe në fushë. Besoj se ishte ndeshje për t’u shijuar nga të gjithë, ku triumfi i përket tashmë Vllaznisë.

E merituar apo jo?

Unë them se po, ne kishim mundësi të kalonim në avantazh shumë më para se të shënohej penalltia e parë. Kishim dy-tri mundësi të mira, ku mund t’i shfrytëzonim më mirë ndoshta. Por i tillë është futbolli dhe jo të gjitha rastet do të përfundojnë në rrjetë. Tashmë, gjithçka ka përfunduar dhe është një shprehje e famshme që thotë “fituesi nuk gjykohet”.

Por kishte polemika nga ana e Dinamos…

Gjithsecili ka këndvështrimet dhe analizat e tij për një lojë futbolli. Ne flasim në fushë dhe përplasemi aty, pasi mbarojnë 90 minutat mund të bëhen analiza dhe komente të ndryshme, por që nuk besoj se ndikojnë aspak te ne.

Ju tha diçka Brdariç apo presidenca e ekipit pas këtij suksesi?

Këto janë sekrete (qesh). Përtej shakasë, thjesht u përgëzuam për çfarë bëmë kundër Dinamos, por duke ditur se ende nuk kemi arritur asgjë. Kemi ende edhe një ndeshje, duhet të qëndrojmë të përqendruar, të qetë dhe të gatshëm. Fryma në skuadër është jashtëzakonisht pozitive dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, por gjithmonë duke mos kaluar në eufori.

Do kishe një preferencë për kundërshtarin në finalen e kampionatit?

Asnjë lloj preference, cilida skuadër të kalojë në finale, do të thotë se e ka merituar diçka të tillë. Si Egnatia dhe Partizani janë ekipe të forta, por edhe ne jemi të përgatitur të përballojmë secilën prej tyre. Ne jemi gati për gjithçka deri në fundin e këtij sezoni.

Pra, është gati kjo Vllazni të rikthejë titullin pas 24 vitesh në Shkodër?

Ne i dimë forcat tona, kemi besim te vetja, stafi, presidenca dhe po ashtu tifozët janë të gjithë bashkë. Do jemi në maksimumin tonë, pasi jo çdo herë do kesh shansin të luash një finale kampionati për skuadrën e qytetit dhe të zemrës tënde. Deri të hënën të shijojmë momentin dhe pastaj të jemi gati për “luftë” për 90 minuta apo ndoshta edhe më tepër në “Arena Kombëtare”.

Një mesazh për tifozët?

I falënderoj fillimisht që jo vetëm në ndeshjen e fundit, por në çdo duel të këtij edicioni na kanë ndjekur në çdo cep të Shqipërisë. I ftoj sërish që të jenë akoma më të shumtë në finale sepse ata janë forca jonë më e madhe. Ta veshin edhe njëherë Tiranën dhe stadiumin kuqeblu e të jenë aty si çdo herë për ne.

Endri ÇINARI

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu