Sunday, November 24, 2024

Shqipëria U-19 fiton 6 me 1 miqësoren me Kukësin U-21, dopietë e shkodranit Albi Shpuza. Trajneri Armando Cungu, i kënaqur me kontigjentin e kampionatit shqiptar

Lexo

Shqipëria U-19 – Kukësi U-21  6:1

(Shënues: Albi Shpuza(2), Klevis Dragaj, Hoxha, Muzhaqi(2)

Shqipëria U-19: Sinan Dani, Rildi Greca, Erjon Sina, Alesio Stafa, Bleart Kastrati, Ildi Xhakaj, Alisio Preloshi, Klevi Qefalija, Klevis Dragaj, Albi Shpuza, Alvi Mezani. Trajner: Armando Cungu

(Gjatë ndeshjes tekniku Cungu aktivizoi edhe një pjesë të mirë të lojtarëve të ftuar për këtë test miqësor)

Në kuadrin e përgatitjeve që kombëtarja e Shqipërisë U-19 po bën me futbollistët e kampionatit shqiptar, tekniku i përfaqësues së kësaj grupmoshe, shkodrani Armando Cungu ka zhvilluar të enjten një ndeshje miqësore me ekipin e Kukësit U-21. Për t’u theksuar është fakti se në formacionin e parë të përfaqësueses tonë u aktivizuan si titullar dy futbollistët e KF Shkodra, Ildi Xhakaj qëndërmbrojtës dhe Albi Shpuza sulmues. Kuqezinjtë e vegjël bënë një paraqitje shumë të mirë, me një pjesë të parë mjaft të shkëlqyer, ku arritën të shënojnë dy gola, fillimisht me shkodranin Albi Shpuza dhe më pas Klevis Dragaj.

Në pjesën e dytë, djemtë e Cungut shënuan edhe katër herë të tjera, sërishmi me shtalartin Albi Shpuza, pjesë e KF Shkodra U-19 në kampionatin shqiptar duke regjistruar një dopietë në këtë ndeshje, për të vijuar më pas edhe me shkodranin tjetër kuqezi, Alesio Hoxhën dhe në mbyllje me dopietën e Muzhaqit. Duhet theksuar fakti se për shkak të pandemisë, Armando Cungu aktivizoi në këtë ndeshje lojtarë, të cilët aktivizohen me klube të kampionatit shqiptar.

Në një prononcim për mediat pas takimit të zhvilluar, Armando Cungu u shpreh se pas disa seleksionimeve me ekipin Kombëtar U-19, ndeshje të tilla miqësore i shërbejnë skuadrës për të parë forcën e skuadrës.“Jemi në një fazë tjetër, pas seleksionimeve të shumta që kemi bërë, kemi nxjerrë pothuajse një Kombëtare me futbollistët e kampionatit shqiptar dhe në këto kushte po tentojmë të zhvillojmë ndeshje miqësore sa më shumë me ekipe potencialisht të nivelit më të lartë se U-19. Sot konkretisht luajtëm me ekipin U-21 të Kukësit dhe do vazhdojmë të kërkojmë ndeshje të tilla për të parë realisht forcën tonë dhe të djemve sa i përket seleksionimeve që kemi bërë”, – tha tekniku kuqezi.

Gjithashtu, Armando Cungu u shpreh se për shkak të pandemisë, ka qenë e pamundur që pjesë e seleksionimeve deri më tani të ishin edhe lojtarët e evidentuar që luajnë jashtë vendit. “Ky është edhe shqetësimi im, për shkak se pandemia ka bllokuar çdo gjë në botë dhe ky nuk është vetëm një problem vetëm shqiptar, por mbarë botëror. Natyrshëm që ka prekur edhe futbollin, na ka prekur edhe neve direkt. Fatkeqësisht nuk kemi pasur mundësi për të pasur mundësinë për të lëvizur, apo për të ardhur, për t’i bërë ftesë lojtarëve, sepse pandemia siç thashë ka bërë të veten. Dhe ky ka qenë problemi sa i përket këtyre grup-moshave sepse realisht, me atë që kemi të evidentuar në listat tona dhe me informacionet që kemi marrë, ka lojtarë të cilët luajnë në nivele të larta me klube me emër në futbollin europian dhe patjetër që duhet të jenë pjesë ekipit, por pa lënë pas dore edhe futbollistët e kampionatit shqiptar”, – vijoi Cungu.

Në fund, trajneri Cungu u shpreh se nga 19-vjeçarët që ai drejton, nuk do të kërkojë vetëm elementë të cilët do t’i shërbejnë Kombëtares A, por edhe rezultate. Ai theksoi se ka rëndësi edhe puna që bëhet në klubet përkatëse me lojtarët, pasi nuk mjaftojnë vetëm ndeshjet miqësore apo grumbullimet me Kombëtaren. “Po kërkoj të bëj maksimumin, më të mirën, për të bërë një Kombëtare dinjitoze dhe objektivi dhe synimi i këtyre ekipeve Kombëtare është për t’i shërbyer nesër Kombëtares së madhe. Ky është objektivi kryesor. Por nuk duhet të lëmë pas dore as kërkesat e rezultatet. Bëhet fjalë për U-19, për një ekip tashmë, ku pretendojmë që futbollistët duhet të jenë të pjekur dhe duhet të jenë të gatshëm për të kontribuar, pse jo dhe në ekipet e para të tyre, apo në Kombëtaren e madhe. Por është shumë e rëndësishme puna që bëjnë këta futbollistë me ekipet e tyre, sepse ne thjesht jemi selektorë Kombëtaresh dhe me një ndeshje miqësore apo me një grumbullim, është e pamundur për të futur konceptet apo idetë apo gjërat për të cilat ka nevojë futbolli. Po krijohet një Kombëtare me shqiptarët e Shqipërisë, dhe do të krijohet dhe një Kombëtare me shqiptarët që luajnë jashtë trojeve tona. Dhe në fund, do të mblidhen të dyja bashkë për të krijuar një Kombëtare të vetme, që deri në këtë moment, akoma nuk e kemi krijuar për shkak të situatës”, – deklaroi ndër të tjera trajneri i Kombëtares shqiptare U-19, Armando Cungu.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img