Një kupë dhe shumë mesazhe…! Kjo, është ajo që përcjell turneu tradiocional që organizohet prej 4 vitesh nga gazetari i mirënjohur sportiv, biri i Dibrës, që bën shumë për të në të gjitha fushat e jetes, Defrim Methasani, i cili së bashku me bashkëpunëtorin e tij Robert Bitri e kanë titulluar “Futboll buzë Drinit”.
Natyrisht që ky është një trofe që kush nga 12 skuadrat konkurente, nuk do të kishte dëshirë ta fitonte. Por përtej një trofeu fituesi, ky turne i kthyer në festë pej vitesh ka të tjera arsye që i jep notat e të fituarit, jo vetëm për skuadrën më të mirë, por për gjithë komunitetin dhe pjesmarrësit. “Futboll buzë Drinit” së pari mbledh pranë lumit më të gjatë dhe më të bukur në Shqipëri mijëra njerëz, madje vijnë edhe nga diaspora.
Shumë yje të futbollit dibran dhe shqiptar, aty janë vlerësuar, si Kreshnik Çipi, Sulejman Demollari, Shpétim Toska, etj. Këtë herë do të nderohen me trofetë përkatës Sokol Kushta, Ledjo P Pano, Vasil Bici, Judmir Gaxheli, Kujtim Prenci, Njazi Dani, Marko Alia dhe mjaft të tjerë. Pra përmes turneut, yjet i sjellim pranë njerëzve të thjeshtë, të cilët kanë mundësi të takohen, flasin apo pozojnë me ta.
Një tjetër arsye ku merr vlerë ky turne, është gjallërimi i jetës dhe rikthimi i besimit të rinisë për të jetuar në vendin e tyre, aty ku ata zoti i solli në jetë. Mbi të gjitha aktivitete të tilla promovojnë luginën e Drinit dhe atë trevë të bukur si Fushë-Alia e cila nuk meriton mbytjen dhe as shuarjen e saj, por meriton mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave historike, gjeografike, traditat dhe vlerat e jashtëzakonshme që e karakterizojnë.
Spektakël, festë, emocione Fushë-Alia të Dibrës
Spektakël, festë, emocione, kjo ishte ajo që përshkoi të dielën e 25 majit në aktivitetin e organizuar në luginën e Drinit, në atë trevë të bukur që quhet Fushë-Alia. Kupa tradicionale e emertuar “Futboll buzë Drinit”, që vjen në edicionin e katërt nën kudestarinë e dyshes simpatike, Dëfrim Methasani dhe Robert Bitri, ia arriti qëllimit
Dhe, për këtë, më mirë se gjithçka, e thotë postimi i Defrim Methasanit, i cili, ashtu edhe herët e tjera, ia doli me sukses në realizimin e nismave fantastike që ai icicion dhe merr përsipër t’i realizojë me mbështetjen e miqve të shumtë, që këtë herë, ishin më të shumtë sa edicionet e kaluara.
“Ia dolëm…! Ia dolëm sërish pas një dite tejet të lodhshme, por dhe të bukur, së bashku me mikun tim që nuk ndalet asnjëherë në pasionin e tij për futbollin dhe vendlindjen, Robert Bitri. Futboll buzë Drinit u mbyll me sukses pasditen e së dielës së 25 majit, duke lënë gjurmë gëzimi, lodhje, suksesi, por dhe krenarie e historie.
Mijra njerëz në Fushë-Alie të Dibrës, përjetuan momente të paharruara, duke qënë dëshmitar të magjisë që futbolli dhuron e po ashtu edhe yjet dhe figurat e rëndësishme të tij që ishin të pranishëm, si Sokol Kushta, Ledjo P Pano, Vasil Bici, Judmir Gaxheli, Shpëtim Toska, Kujtim Prenci, Njazi Dani, Marko Alia, apo Bicaj Ditmar, ku secili prej tyre u pagëzua me një trofe, trofe të cilin e fituan më të mirët e trneut.
Fitues dhe kampion pas një kampionati shumë të fortë u shpall ekipi i ardhur nga Sukthi, por realisht fitues mund të konsiderohen të gjithë ata që shijuan momentin dhe ndeshjet të transmetuara mjeshtërisht dhe live nga kolegët e nderuar Moisi Dalipaj, Sefer Kikija, Isuf Myrtaj dhe Fatmir Zhuzhi, gjykuar profesionalisht nga Tanush Latifi, Idriz Gashi dhe Ernest Cena, xhiruar e fotografuar bukur nga Islam Shehu, Rruzhdi Xhediku dhe Fehmi Lleshi. Miqtë e ardhur nga Kosova dhe trojet shqiptare, apo artistët Agim Skara, Dritan Jashari, Edmond Përnezha dhe Gjuran Daci, zbukuruan festën dhe i dhanë ngjyrat përtej një eventi sportiv. Mirënjohje secilit që erdhi por mbi të gjitha secilit që kontriboi, qoftë fizikisht, shpirtërisht, apo financiarisht.
Respekt edhe për kolegët e nderuar sportiv Gani Kosumi, Edmond Thaçi, Bashkim Tufa, Xhevdet Zekaj dhe Altin Sulce, madje ky i fundit e transmetoi edhe në mbrëmje në emisionin e tij “Maxsport” në Eruoneës.
Një postim është pak, për të shprehur atë mirënjohje të madhe që ndjej për këdo që ishte pjesë e një feste të tillë e cila u propozua nga të pranishmit, që të kthehet si festa e gjithë zonës.”.
Gaspër MARKU