Të nderuar qytetarë të Skenderajt dhe sportdashës,
Sot, me shumë krenari dhe ndjenja të përziera, ndaj me ju një rrëfim personal që për mua përfaqëson më shumë se një angazhim sportive, përfaqëson përkushtimin tim ndaj një emri që na bashkon të gjithëve, FC Drenica.
Angazhimi im me FC Drenicën filloi në vitin 2023, në një kohë kur klubi po kalonte një nga periudhat më të vështira në historinë e tij. Si anëtar i Bordit të Klubit, u përballa me një realitet të zymtë, vështërësi financiare, infrastruktura sportive në gjendje të mjerueshme, si dhe rreziku për të rënë në Ligën e Dytë ishte i madh dhe i menjëhershëm. Por, këtë përgjegjësi nuk e pashë si barrë, por si detyrë ndaj një emri që mbart peshë emocionale për mua dhe shumë të tjerë që janë rritur me ngjyrat e Drenicës.
Që në sezonin e parë dhashë kontribut të gjithanshëm, si në menaxhim ashtu edhe financiarisht. Me investime të konsiderueshme dhe me përkushtim të palëkundur, arritëm të mbajmë Drenicën në Ligën e Parë, duke i dhënë asaj mundësinë të marr frymë dhe të ndërtojë perspektivën për të ardhmen. Ishte një betejë e fituar me shumë mund dhe që e paralajmëroi kapitullin e ri të klubit.
Në sezonin 2024/2025, u bëra një ndër shtyllat kryesore në projektimin dhe ndërtimin e një ekipi fitues, të denjë për t’u inkuadruar në Superligën e Kosovës. Këtë sukses nuk e arritëm rastësisht, por ishte rezultat i një vizioni të qartë, punës së organizuar, dhe padyshim, investimeve të vazhdueshme financiare që u drejtuan me përpikëri aty ku kishte më shumë nevojë, në lojtarë cilësorë dhe në krijimin e një kulture të re sportive brenda klubit.
Në fillim të vitit 2025, mora përsipër detyrën e Presidentit të FC Drenicës. Ky moment shënoi një kthesë të rëndësishme jo vetëm për mua personalisht, por edhe për historinë e klubit. Si president, vazhdova me të njëjtin ritëm përkushtimi dhe mbështetjeje, duke udhëhequr Drenicën drejt një prej sukseseve më të mëdha në historinë e saj fitimin e trofeut të parë dhe rikthimi në Superligen e Kosovës. Me këtë arritje, u bëra presidenti i parë në historinë e klubit që fiton një trofe me klubin, që paraqet një moment krenarie jo vetëm për mua, por për të gjithë komunitetin e Drenicës.
Ky rrugëtim ka qenë një përzierje emocionesh, sfidash dhe fitoreje. Por mbi të gjitha, ka qenë dëshmi se kur puna, pasioni dhe besimi bashkohen, çdo gjë është e mundur. Drenica është rikthyer aty ku e ka vendin në elitën e futbollit kosovar dhe krenaria ime për këtë rrugëtim është e pafund.
Gjithashtu, dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë anëtarëve të bordit, nënkryetarëve Rexhep Birinxhiku e Çaush Dobra, paraardhësin tim, ish-presidentin Ilir Veliqi, anëtarëve Bastri Durmishi, Gëzim Ramadani, Ragip Durmishi, Musa Jashari, stafit të administratës, stafit të trajnerave dhe lojtarëve që qëndruan pranë meje në çdo hap të këtij rrugëtimi.
Nuk harrojmë as Komunën e Skenderajt, e cila na mbështeti financiarisht deri në inkuadrimin në Superligën e Kosovës.
Faleminderit Komunës për përkrahjen dhe besimin
Mirënjohje e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Fazli Jasharit, anëtar i familjes Jashari,
i cili me përkushtim dhe mbështetje të pandërprerë qëndroi pranë nesh në çdo hap drejt suksesit.
Falenderim i veçantë shkon edhe për të gjithë sponsorat dhe donatorët që na përkrahen dhe qëndruan pranë nesh, e poashtu për tifozët Shqiponjat e Zeza, që në borë e në shi ishin shpirti, zëri dhe mbështetja jonë. Pa përkushtimin, besimin dhe sakrificën e të gjithve, ky sukses nuk do të ishte i mundur. Kjo është një fitore e përbashkët, një fitore e Drenicës.
Drenicë, gjithmonë do të jem me ty dhe për ty. Në çdo sfidë, në çdo fitore e në çdo moment të historisë sate, zemra ime do të rrahë për ty. Sepse Drenica nuk është vetëm një klub është frymë, është krenari, është familje.
Me respekt,
Haxhi Rreci
President i FC Drenicës