Elmando Gjini, është futbollisti më i ri i KF Vllaznia. Shtatlarti që i përket repartit të prapavijës ka mbërritur mesditen e sotme në zyrat e KF Vllaznia, ku edhe ka firmosur kontratën zyrtare si futbollist i huazuar nga ana e FC Ballkani ku ka qënë pjesë e tij sezonin e kaluar.
Realisht, emri i Elmando Gjinit është përfolur që në momentet e ardhjes në krye të Vllaznisë të Edi Martinit, që ai mund të bëhej pjesë e Vllaznisë, edhe ky një njohje e teknikut shkodran gjatë kohës që ka drejtuar Teutën e Durrësit.
Por, ajo që të bën përshtypje, ka të bëjë me vonesen, se përse erdhi kaq vonë, kur gjërat pak a shumë ishin në rrugën e duhur. Sepse në këtë mënyrë, Gjini ka humbur pjesën kryesore të fazës përgatitore, që nëse do të ishte me skuadrën në Slloveni, forma spotive dhe ambientimi i tij me kuqeblu do të kishin qënë në parametra më pozitiv.
Njoftimi zyrtar i KF Vllaznia
KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur një marrëveshje me FC Ballkani për huazimin me të drejtë blerje të kartonit të futbollistit Elmando Gjini. Mbrojtësi shkodran do të jetë pjesë e skuadrës tonë për sezonin 2025-2026 dhe nga sot do të vihet menjëherë në dispozicion të stafit teknik duke qenë i gatshëm edhe për ndeshjet europiane.
Mirë se erdhe! #elmandogjini