Samuel Nikaj rikthehet në futbollin shqiptar. Pas aventurës 1 vjeçare në futbollin kosovar, ku drejtoi skuadrën e Prizrenit, tekniku shkodran ka arritur akordin për të drejtuar skuadrën e Burrelit në Kategorinë e Parë.
Nikaj do të fillojë punë zyrtarisht me datë 10 korrik me futbollistët. I vetmi lojtar që është larguar zyrtarisht nga matjanët është Florenc Farruku.
47-vjeçari ka një përvojë të pasur në ngjitjen e ekipeve një kategori më lart, teksa sukseset nuk i kanë munguar me skuadra si Flamurtari i Prishtinës, Vushtria, Kastrioti, Pogradeci dhe Prizreni së fundmi. Tashmë me afrimin e Samuel Nikajt në pankinë, Burreli në ditët në vijim pritet të shpallë edhe synimet që ka për sezonin e ri.
Vlen të theksohet fakti se Nikaj e drejtoi Burrelin edhe në sezonin 2021-2022, ku matjanët ishin ndër skuadrat pretendente që synuan ngjitjen në elitë, por pa ia dalë.