Prej disa vitesh punon me moshat duke drejtuar me sukses Akademinë e Futbollit Shpresa, prej së cilës vitet e fundit kanë dalë futbollistë cilësor që kanë vazhduar karrieren sportive me Vllazninë, si dhe ekipet e tjera të kampionatit shqiptar.
I specializuar si videoanalist, kaloi një përvojë pozitive pranë stafit të KF Vllaznia, pozicion të cilin e pasoi djali i tij, Endri Mani, i cili vijon edhe sot ta kryejë me sukses, ndërkohë që me kërkesën e disa klubeve veriorë, Arditi shërbeu pranë tyre si videoanalist.
Krahas pozicionit të nderuar të mësuesit të edukimit fizik në shkollat kryesore të qytetit të Shkodrës, si dhe angazhimit në KOKSH, por edhe disa specializimeve të tjera teknike pranë FSHF-së, për Ardit Manin erdhi një moment i tillë që kërkohej për të marrë përsipër diçka më shumë.
Të parët që e konstatuan se ka ardhur ky moment, ishin drejtuesit e KF Shiroka, të cilët përmes presidentit Ergi Axhani, vendosën ta bëjnë pjesë të stafit të tyre Ardit Manin duke e emëruar trajner të parë.
Nga firma në zyrat e klubit pranë Grand Hotel Europa, në terren, ku prej disa ditësh vijon punën me shumë seriozitet duke pasur pranë kolegët e stafit teknik: Matías Tatangelo Drejtor Sportiv, Oltion Drabeja, Zëvendës trajner, Ervin Buca, Përgatitës atletik, Bujar Celufaj, Trajner portierësh.
Në një vëzhgim që Veriu Sport bëri duke ndjekur prej së afërmi seancën stërvitore në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”, ajo që të binte në sy ishte serioziteti dhe përkushtimi maksimal që tekniku Mani dhe kolegët e tij shfaqnin në konsumimin e pikave të programit stërvitor, ndërkohë që gjithçka mbikqyrej në distancë nga presidenti Ergi Axhani.
Gjatë bashkëbisedimit me vetë teknikun Mani, ai flet për entuziasmin dhe punën këmbëngulëse që po bëhet në skuadër për të marrë formën e duhur sportive në mënyrë që me fillimin e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Tretë, KF Shiroka të jetë gati për realizimin e një objektivi të vetëm, kualifikimin në Kategorinë e Dytë.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Ardit Mani si dhe pamje nga seanca stërvitore e KF Shiroka zhvilluar në stadiumin “Reshit Rusi”, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU