Për të kompletuar totalisht ekipin në sezonin 2025-26 të Superiores, te Vllaznia po mendojnë për afrimin të një sulmuesi tjetër.
Në repartet e tjera kuqeblutë duket se janë të “blinduar” tashmë e po kërkojnë afrimin e një futbollisti në repartin ofensiv. Një lojtar që mund të aktivizohet si sulmues i parë apo qoftë edhe si një sulmues krahu, bazuar kjo edhe në skemën që kërkon të aplikojë trajneri, Edi Martini.
Kështu drejtuesit dhe stafi kuqeblu po studiojnë mundësitë e afrimit të ndonjë sulmuesi nga rajoni, apo edhe nga Superiorja shqiptare. Një futbollist që mund të përshtatet shpejt me skuadrën dhe që të japë kontributin e tij menjëherë. Dëshira dhe “fiksimi” për një sulmues sillet rreth emrit të Charles Bismark, ganezit i cili u aktivizua në Shkodër për ndeshjet e “Conference League” kundër Vikingur. Dhe menjëherë la një përshtypje më shumë se pozitive, jo vetëm në klub, por edhe tek tifozët.
Aktualisht duket e vështirë për të arritur tek 24-vjeçari i cili është nën kontratë me Skënderbeun. Me klubin korçar që kërkon një shumë të majme për të lënë të lirë ish-futbollistin e CSKA Sofia dhe synimi është transferimi në një kampionat jashtë vendi deri në fundin e merkatos.
Por, nëse një transferim i tillë nuk realizohet, atëherë Vllaznia qëndron “pas dere” për të përfituar në mënyrë që të sjellë në Shkodër një sulmues potent, që do të kompletonte totalisht skuadrën e Martinit në prag të edicionit 2025-26 të Superiores.
Endri ÇINARI