Sezoni i ri futbollistik 2025-2026 pritej të niste ndryshe për ekipin e Tërbunit të Pukës, pasi klubi pukjan ishte në procedurat e fundit për të kaluar nën administrimin e privatit.
Por, edhe pse Bashkia e Pukës ishte e hapur dhe mirëpriti ofertat e komunitetit të bisnezit, tenderi për privatizimin e Klubit të Futbollit Tërbuni, dështoi dy herë radhazi duke mos shfaqur asnjë të interesuar për të blerë aksionet e klubit.
Në të tilla kushte, Bashkia Pukë, mori përsipër administrimin e klubit edhe për këtë sezon futbollistik, madje duke garantuar tifozërinë pukjane se përkushtimi ndaj skuadrës do të jetë maksimal me objektivin e vetëm, kalimin në kategorinë e parë. Dhe për këtë, pikë së pari, kryebashkiaku-president Rrok Dodaj, rikonfirmon në detyrë, drejtorin teknik Alfred Pjetri, ndërkohë që në pankinë është ulur trajneri i ri Anxhelo Suta, i cili zëvendëson në detyrë ish trajnerin e larguar, Sinan Bardhi. Dyshja në fjalë, Pjetri-Suta, kanë nisur menëjherë nga ndërtimi i skuadrës duke pasur në dispozicion 16 lojtarë. Nga kontigjenti i vjetshëm, përpos trajnerit Bardhi, ka pasur edhe një largim tjetër, atë të Anderson Filipit, i cili ka kaluar tek skuadra e kategorisë së trete KF Shiroka, ndërkohë që është afruar një futbollist cilësor si Dejan Andoni i pozicionit qëndërmbotjës, karriera e të cilët ka qënë e suksesshëm me ekipet e Bylisit, Apolonisë, Lushnjes, etj. Në planet e skuadrës pukjane janë edhe disa futbollistë cilësorë, për të cilët dyshja drejtuse, Pjetri-Suta, kanë ditë që kanë nisur bisedimet, mes të cilëve janë edhe një kontigjent nga Akademia e Futbollit Vllaznia, zyrtarizimi i të cilëve pritet të bëhet në ditët në vazhdim.
Krahas proçesit stërvitor mjaft intensiv që po realizohet me nga dy seanca në ditë, stafi teknik ka programuar edhe disa ndeshje miqësore, ku fillimisht në projekt janë dy-tre ekipe të kryeqytetit, ndërkohë që në vazhdim pritet të jenë edhe dulet miqësore me KF Shirokën, Vllazninë B, dhe Besëlidhjen e Lezhës.