Në prag të ndeshjes së parë të sezonit të ri të “Abissnet Superiores 2025-2026”, atë ndaj Flamurtarit, trajneri Ivan Gvozdenovic ka theksuar se Elbasani hyn në fushë vetëm me një objektiv, fitoren. Në intervistën e dhënë për RTSH Sport, ai vlerëson traditën dhe potencialin e vlonjatëve, por beson se verdheblutë duhet të nisin kampionatin me rezultat maksimal, duke treguar karakter dhe ambicie që në start të garës.
Tekniku serb ndalet edhe te përforcimet e merkatos, duke shprehur kënaqësinë për mënyrën se si ekipi është pasuruar me elementë cilësorë. Sipas tij, lojtarët e ardhur gjatë verës janë përshtatur shpejt dhe do të jenë një vlerë e shtuar për skuadrën gjatë gjithë sezonit.
Gvozdenovic ka falënderuar tifozët e Elbasanit për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka bërë thirrje që ata të jenë të shumtë në “Elbasan Arena” të shtunën. Elbasani pret nesër mbrëma Flamurtarin në “Elbasan Arena” në ndeshjen që nis në orën 20:00.