Për Vllazninë ndeshja e radhës në kampionat do jetë kundër Teutës, duel që do të luhet në transfertë ditën e diel në orën 19:00.
Një sfidë që patjetër paraqet një dozë të lartë vështirësie për shkodranët, që duhet të bëjnë llogaritë me një skuadër plot ambicie. Siç janë bregdetarët këtë edicion, të cilët realisht për çfarë kanë shfaqur në fushë në javët e para, nuk kanë marrë pikët e duhura. Duke merituar diçka më tepër ndaj kundërshtarëve si Partizani apo Vora.
Dhe ndaj kuqebluve e për më tepër në “Niko Dovana”, do kërkojnë me patjetër një rezultat pozitiv. E për një pjesë të mirë të stafit, por edhe futbollistëve aktualë të Vllaznisë është një përballje me të shkuarën. Duke nisur nga trajneri, Edi Martini i cili për disa sezone me radhë drejtoi mjaft suksesshëm “djemtë e detit”. Me teknikun shkodran që arriti të rikthejë trofetë e munguar prej dekadash në qytet.
Ku arriti të fitonte kampionatin, kupën dhe dy herë superkupën në periudhën kur drejtoi Teutën. Duke kurorëzuar periudhën më të artë të historisë së futbollit durrsak. Por, jo vetëm trajneri është një “ish” i kësaj sfide. Pasi janë një numër i lartë futbollistësh tek Vllaznia që në të shkuarën kanë dhënë kontributin me Teutën. Duke nisur nga mbrojtësit Gjini dhe Hakaj, që kanë lënë kujtime të mira tek durrsakët. Apo edhe Aleksander Kuros, me këtë të fundit që ishte pjesë e ekipit kampion nën drejtimin e Martinit në edicionin 2020-21.
Një tjetër emër që ka mahnitur me Teutën në të shkuarën dhe sot luan tek Vllaznia është edhe Sherif Kallaku. Teksa një sezon në Durrës ka luajtur edhe Klinti Qato, mesfushori nga Kuçova i shkodranëve. Pra, një numër prej 5 futbollistësh tek Vllaznia që në të shkuarën kanë qenë pjesë e Teutës.
Teksa tek durrsakët nëse mund të cilësohet një “ish” i Vllaznisë është vetëm Artan Jazxhi. Me mbrojtësin që ishte i huazuar gjatë kësaj vere në Shkodër për ndeshjet e “Conference League”. Por, për shkak dëmtimi nuk mundi të veshë asnjëherë fanellën e 9 herë kampionëve në një ndeshje zyrtare. Duke e mbyllur aventurën e tij në Shkodër para kohe.
Endri ÇINARI