Java e katërt e “Abissnet Superiore” gjen Tiranën ende pa fitore dhe me vetëm dy pikë në llogari falë të cilave mbyll klasifikimin në vendin e dhjetë.
Për të besuarit e Boldrin takimi i radhës do të jetë një tjetër duel i vështirë pasi do të udhëtojnë drejt Rogozhinës ku i presin kampionët në fuqi të Egnatias. Për të prezantuar këtë takim italiani i Tiranës doli sot përpara gazetarëve ku u dha përgjigje për disa çështje.
“Me Flamurtarin duhet që të kishim marrë fitoren, por gabuam shumë me mënyrën se si luajtëm atë takim të cilin e mbajtëm në një ritëm të lartë për vetëm 45’. Duhet të bëjmë dy pjesët mirë sepse nuk mjafton një. Kemi vuajtur shumë në të dytën, por rastet më të mira pas golit të parë i kishim për 2-0. Nuk ia dolëm, mëkat se mund ta mbyllnim ndeshjen”, nisi Roberto Bordin konferencën e sotme për shrtyp.
Sa i përket rivales së radhës trajneri italian i bardhebluve pranoi se ndeshja e ditës së shtunë do të jetë mjaft e vështirë. “Egnatia është një skuadër shumë e fortë, ka një trajner që ka vite që është aty. Ka bërë disa ndryshime, sidomos në mesfushë por ka marrë lojtarë po aq të fortë. Ndaj është një skuadër që luan për të fituar përsëri titullin. Hap pas hapi duhet të përmirësohemi, forma po rritet, mirëkuptimi mes lojtarëve po rritet. Ndaj të shohim qe të mos pësojmë shumë, por të mundohemi të bëjmë diçka më të rëndësishme se në ndeshjen e kaluar”, analizoi Boldrin.