Flamurtari nuk arriti të shijojë fitoren e parë në këtë edicion të Kategorisë Superiore, pavarësisht një stadiumi modern dhe mbështetjes së zjarrtë të tifozërisë vlonjate. Kuqezinjtë u mposhtën 1-2 në shtëpi nga kampionët në fuqi, Egnatia, në një sfidë me ritëm e emocione deri në fund.
Miqtë zhbllokuan rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Albanese shënoi me saktësi nga penalltia. Flamurtari reagoi fort në fraksionin e dytë dhe barazoi në minutën e 84-të me golin e Todoroskit, duke ndezur shpresat për një pikë të vlefshme. Por vetëm pak minuta më vonë, braziliani Leo Melo përfitoi nga një gabim në mbrojtjen vlonjate dhe e dërgoi sërish topin në rrjetë, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës së Egnatias.
Pas këtij rezultati, Egnatia ngjitet në kuotën e 10 pikëve pas pesë javësh kampionat, duke forcuar pozitat në krye të tabelës. Ndërkohë, Flamurtari mbetet në vendin e parafundit me vetëm 2 pikë, duke e shtuar presionin për ndeshjet e ardhshme.



