Ndërsa në kampin durrsak, 90-të minutëshin e fundit, Teuta-Apolonia, pas të cilit presin të shpallen kampionë, duket se kanë marrë lehtë dhe pa vlerësimin sa dhe si duhet Apolonisë. Për këtë bën fjalë edhe reagimi i presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, i cili ka një mesazh të drejtpërdrejtë për Teutën, por edhe futbollin shqiptar në përgjithësi. “Kam shumë respekt dhe shumë vlerësim për të dyja skuadrat rivale për titull, Teuta dhe Vllaznia. I kam miq personalë të dy presidentët e tyre, i dua dhe i respektoj të dy, por Apolonia në fushë nuk ka asnjë ndikim nga miqësitë e mia. Në qoftë se Teuta do ta nënvlerësojë ndeshjen me Apoloninë, nuk do të jetë kampione. Apolonia do të luajë me dinjitet, me respekt për Teutën, për Vllazninë, për Partizanin, për Laçin, pra për të gjitha skuadrat deri te Bylisi. E ka vërtetuar këtë gjë, ka respektuar garën, nuk i ka bërë dëm askujt dhe vetëm është dëmtuar në mjaft ndeshje padrejtësisht. Por, do ta respektojë deri në fund garën. Mendoj se ndeshja me Teutën është tërësisht e hapur. Teuta po nënvlerësoi, do të humbasë. Po e vlerësoi seriozisht, janë të tria mundësitë.”, është shprehur për mediat presidenti fierak, Kokëdhima.