KF Shiroka-Veleçiku 3-1(Shënues: Erjon Vucaj 46’, Gabriel Ogungbire 52’, 71’, /Arsen Banushaj 26’)
Dy fitore në tre ndeshje, me gjashtë pikë që e pozicionojnë Shirokën në vendin e dytë të të tabelës së klasifikimit, mjaftojnë për të thënë se skuadra e drejtuar nga dyshja simpatike, trajneri Matias Tatangelo dhe drejtori teknik Ardit Mani, të konsiderohet surpriza e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë.
Tre pikëshi i dytë erdhi pasditen e sotme, teksa shirokasit fituan derbin e Qarkut Shkodër duke mposhtur në shtëpi Veleçikun, një skuadër me emër dhe tradite prej vitesh në kategorinë e parë dhe të dytë.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” me një publik rekord nga të dy kampet përkatëse, paraqiti në fushën e lojës, një pjesë të parë më të mirë nga Veleçiku. Skuadra e drejtuar nga trajneri Besnik Duli, arriti të kalonte në avantazh me të zakonshmin Arsen Banushaj, të preferuarin e komentatorit pasionant koplikas Bashkim Ramekaj, ku edhe sot e përcolli me emocion në mikrofon komentin e golit të Banushajt.
Me avantazhin 0 me 1 në favor të miqve nga Kopliku u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që pas kthimit nga dhomat e zhveshjes, duket se dyshja tekniku Tatangelo-Mani dha efektin e duhur, pasi që në start të kësaj pjese, është kapiteni Erjon Vucaj që shënon që në minutën e parë duke barazuar rezultatin 1 me 1.
Gjashtë minuta më pas, është Gabriel Ogungbire që kalon në avantazh Shirokën. Miqtë nga Kopliku nuk pajtohen me disavantazhin dhe me rastet e krijuara ia kanë të gjitha mundësitë të shënojnë, por atë nuk e bëjnë ato e bën kundërshtari. Dhe, është përsëri Gabriel Ogungbire që tund rrjeten koplikase, i dyti personal për të dhe i treti për Shirokën, e cila arrin ta mbajë në fuqi këtë rezultat deri në fund të krejt takimit duke iu gëzuar fitores me shifrat 3-1.
Në prononcimet e pas ndeshjes, trajneri i Shirokës Tatangelo shprehet i kënaqur për fitoren duke përgëzuar skuadrën për atë që dhanë në fushën e lojës. Ndërkohë, në krahun tjetër, trajneri i Veleçikut Besnik Duli, teksa ka kritika për disa gabime të lojtarëve të tij, ka ankesa për gjykimin.
(Video) Prononcimet e plota të trajnerëve Matias Tatangelo(Shiroka) dhe Besnik Duli(Veleçiku), si dhe pamje nga ndeshja, Shiroka-Veleçiku(3-1), mund t’i ndiqni në kanalin tonë sportive, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



