E paralajmëruar të fillonte në oren 17.00 të së premtes së 30 Tetorit 2020, mbledhja e Këshillit Bashkiak Shkodër ka nisur 30 minuta me vonesë. Në 12 pikat e rendit të ditës që kreytarja e këtij institucioni Brisela Kadija prezantoi në hapje të mbledhjes ishte edhe ajo e sportit: “Dëgjesë me Kryetarin e Bashkisë dhe Administratorin e K.F.Vllaznia sh.a., mbi disa çështje të K.F.Vllaznia sh.a., referuar kërkesës së një gupi këshilltarësh.” Një pikë që mori vemendjen e të pranishmëve që në hapje të mbledhjes. Ka qënë këshilltari Lush Marku, i cili ka propozuar spostimin e kësaj pike për në fund të mbledhjes. Sipas tij, ky propozim kishte të bënte me mospraninë të administratorit të KF Vllaznia, Suad Lici, për të cilin ka shpresuar se do të ketë kohën e duhur të mbërrinte në sallë në momentin e diskutimit të kësaj çështje. Propozim ky i hedhur në votim dhe i miratuar nga ana e këshilltarëve. Me praninë në sallë edhe të kryebashkiakes të Shkodrës Voltana Ademi mbledhja ka vijuar normalisht ku pas rreth tre orësh nga 11 projektvendimet e paraqituara për miratim, tetë prej tyre janë miratuar ndërsa tre janë shtyrë për mbledhjen e ardhshme.
Ndërkohë, pika: “Dëgjesë me Kryetarin e Bashkisë dhe Administratorin e K.F.Vllaznia sh.a., mbi disa çështje të K.F.Vllaznia sh.a., referuar kërkesës së një gupi këshilltarësh.”, e cila me mirëkuptim e këshilltarëve u spostua për pjesen e fundit të mbledhjes ka krijuar një tension në sallë. Këshilltari Arbis Vjerdha, i cili mbulon edhe sektorin e sportit në këshillë ka folur me tone të ashpra në adresë të administratorit të dorëhequr Suad Lici, mes të cilave sipas tij janë edhe akuzat për favorizime personale në raport me tendera që ai ka marrë në Bashki gjatë kohës që drejtonte klubin kuqeblu. Në fjalën e tij ai bëri të ditur se ndërkohë që akuzat e tij janë depozituar në Prokurori nuk ka një reagim zyrtar nga ana e titullares së qeverisjes vendore, madje sipas tij, pas dorëheqjes si administrator personi në fjalë emërohet në një post tjetër të rëndësishëm po brenda klubit kuqeblu. Në vijim të fjalës së tij, këshilltari Vjerdha hodhi akuza në të njëjtën kohë edhe në adresë të administratorit të ri Benjamin Nako rreth të kaluarës së tij. Në mungesë të dy personave në fjalë të shigjetuar me akuzua nga këshilltari Vjerdhja, ajo që ka diskutuar rreth kësaj teme të nxehtë ka qënë kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi. Nga ana e saj si titullare e insitucionit, por edhe si presidente e KF Vllaznia, nuk ka qënë dakord me akuzat e hedhura nga ana e këshilltarit Vjerdha, madje në diskutim e sipër, duke marrë për bazë një diskutim pozitiv në Parlament të ministrit socialist Arben Ahmetaj për aktivitetin financiar të Vllaznisë, ajo ka mbajtur qëndrim tjetër ndaj Licit. E ndërsa kryebashkiakja Ademi vazhdonte të ndante opinionin e saj pozitiv për çështjen në fjalë, një qëndrim i tillë i saj ka acaruar së tepërmi këshilltarin Vjerdha, i cili nga ana e tij i ka shtuar akoma më shumë dozat e akuzes së tij, situatë kjo tensioni në sallë që ka detyruar kryetaren e Këshillit Bashkiak të ndërpresë mbledhjen.