Java e tetë e Kategorisë së Parë të futbollit shqiptar, nis sot me tre duelet e para. Iliria – Korabi 14:00, Lushnja – Apolonia 14:00, Skënderbeu – Besa 17:00.
Vemendja kryesore pritet të jetë në sfiden mes Lushnjes dhe Apolonisë, një takim ky i përzgjedhur nga Rrjeti i Radio Televizonit Shqiptar për ta transmetuar direkt në RTSH 2 HD.
Të dyja skuadrat kanë objektiv ngjitjen në Abissnet Superiore, edhe pse për momentin janë në pozita delikate. Lushnja e drejtuar nga trajneri Ditmar Bici, zbret në fushë e motivuar për të marrë tri pikët pas humbjes që pësoi javën e kaluar në transfertë përballë Korabit. Në shtatë takime skuadra e Lushnjes ka marrë vetëm tetë pikë dhe mban vendin e tetë. Dy pzocione më lart është Apolonia, e cila ka marrë 9 pikë. Edhe ekipi fierak do të jetë i motivuar pasi kërkon që të harrojë sa më shpejt humbjen që i shkaktoi Burreli javën e kaluar.
Po aq interesante dhe e dyluftuar pritet të jetë edhe sfida që do të luhet në Korçë mes Skënderbeut vendas, kryesues i renditjes dhe Besës që po vuan për të gjetur rezultatet pozitive.
Tre ndeshjet e tjera të javës së 8-të do të zhvillohen të shtunën në orën 14:00. Pogradeci do të presë në shtëpi Kastriotin. Në “Kukës Arena” do të luhet dueli Kukësi – AF Luftëtari, ndërsa në Laç, vendasit do të përballen me Burrelin.
Kalendari i javës së tetë të Kategorisë së Parë
Sot
Iliria – Korabi 24.10.2025 14:00
Lushnja – Apolonia 24.10.2025 14:00
Skënderbeu – Besa 24.10.2025 17:00
Nesër
Pogradeci – Kastrioti 25.10.2025 14:00
Kukësi – AF Luftëtari 25.10.2025 14:00
Laçi – Burreli 25.10.2025 14:00
Fatos LAMAJ



