Një javë “jo” për basketbollin shkodran mund të konsiderohet kjo që lamë pas, pasi dy ekipet e Vllaznisë, për meshkuj dhe femra, kanë pësuar humbje në ndeshjet e luajtura në transfertë, në kryeqytet dhe në Vlorë.
Pa lënë mënjanë ballafaqimin e femrave, me shumë interes është pritur sfida e meshkujve në mes Tiranës vendase dhe Vllaznisë mysafire, ndeshje kjo e luajtur në sallën sportive “Farie Hoti” të kryeqytetit.
Një sfidë kjo ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Eni Llazani, e nisi mjaft mirë duke arritur të fitojë periodën e parë me gjashtë pikë avantazh, 22–16. Në dhjetë minutat e periodës së dytë, Tirana e përmirëson ndjeshëm lojën e saj duke bërë që ndeshja të përfshihet në një rivalet të plotë dhe faza shumë interesante, gjë që shoqërohet edhe me entuziamin në të dy kampet e tifozërive përkatëse.
Gjithësesi, është Vllaznia, ajo që i gëzohet avantazhit në mbyllje të pjesës së parë, ku shifrat në tabelën elektronike tregojnë, Tirana 39 dhe Vllaznia 45.
Për kuqeblutë, perioda më e dobët ishte e treta, dhjetëminutëshi i së cilës shoqërohet me gabime të shumta, qoftë në sulm, por edhe në mbrojtje, situatë të cilën e shfrytëzon Tirana, e cila e fiton këtë përiodë 20 me 11 duke marrë në këtë mënyrë avantazhin e ndeshjes me shifrat 59-56.
Vllaznia nuk pajtohet me disavantazhin dhe në periodën e katërt rikthehet në lojën e saj, por gjithësesi, Tirana nuk e lejon të shkojë më shumë se barazimi në këtë periodë, ku në sajë të avantazhit të periodës së tretë, bardheblutë arrijnë të ruajnë diferencen e tre pikëve plus, duke iu gëzuar edhe fitores së krej ndeshjes me rezultatin e pëgjithshëm 72-69.
Nga ana tjetër, edhe ekipi i femrave që drejtohet nga trajnerja Medina Mustafa, u largua me humbje nga transferta vlonjate, pasi kualitetet e Flamurtarit, kampion në fuqi, ndikuan në fushën e lojës duke bërë që rezultati në përfundim të krejt ndeshjes të ishte në shifrat 75-53 në favor të Flamurtarit.
Për javën e ardhshme, ekipi i meshkujve do të luajë përsëri në transfertë, këtë radhë përballë Elbasanit, ndërkohë që ekipi i femrave pret Tiranën në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi”.



