Wednesday, November 19, 2025

(Video) Shkodra humb Hasan Hasen. Ish futbollisti kuqeblu i viteve 60-të që humbi syrin në ndeshjen Lushnja-Vllaznia u nda nga jeta në moshën94 vjeçare

Lexo

- Reklamë -spot_img

Ish futbollisti i Vllaznisë së viteve 60-të Hasan Hasa ka ndërruar jetë në moshën 94 vjeçare. Një emër ky shumë i njohur në komunitetin shkodran dhe më gjërë, kryesisht në atë të futbollit, që krahas të tjerave mbahet mend edhe për një episod që deri më sot nuk është hasur në futbollin shqiptar.

Bëhet fjalë për vitin 1962, teksa Vllaznia luante në transfertë me ekipin e Traktorit të Lushnjes, në çastin kur lojtari vendas Kristaq Gogoni ishte gati të godiste topin, për të shënuar golin në portën e Vllaznisë, rrufeshem fut kokën Hasan Hasa dhe e largon topin duke shpëtuar portën e Vllaznisë nga një gol i sigurtë. Sulmuesi lushnjar Gogoni, nuk arriti të godiste topin, por goditi syrin e Hasanit, i cili që nga ajo ditë mbeti pa njërin sy. Një rast ky që në historinë e futbollit shqiptar, është i pari që në një ndeshje zyrtare të Kampionatit Kombëtar, të jetë dëmtuar kaq rëndë ndonjë lojtar, si Hasan Hasa. Çfarë sakrifice, guximi e përkushtimi për fanelen e Vllaznisë. Një dëmtim ky e detyroi të largohej nga futbolli, pasi mbeti invalid me njërin sy. Dhe një gjë e tillë ndodhi kur ai ishte vetem 26 vjeç.

Megjithatë, edhe pse i larguar nga futbolli në një moshë të re, Hasan Hasa la pas një karriere të pasur sportive duke luajtur përkrah emrave të njohur të futbollit shkodran, si Haki Kraja, Bep Çefa, Deto Zmijani, Frederik Çapaliku, Jonuz Teli, Zija  Halluni, Ali Kullolli, Ahmet Nuti, Muhamet Dibra, Beqir Cungu, Qamil Medja, Ramazan Rragami, Esat Rrakiqi, etj.

Ndërkohë që sukseset e Hasan Hasës në futbollin shkodran do të vijonin edhe në fushën e trajnimit, pasi duke drejtuar për disa vite ma radhë ekipet e moshave zinxhir të KF Vllaznia, falë punës së tij pasionante dhe shumë profesionale, ai nxori nga duart e tij emra të spikatur të futbollit shkodran, të cilët bënë karriere deri në nivelet e larta të futbollit shqiptar, si Seit Çanga, Fatmir Paçrami, Teodor Todhe, Viktor Pali, Gëzim Piraniqi, Fatmir Hysa, Bardh Boriçi, Mehdi Dragovoja, Selman Gruda, etj.

Por, krahas të tjerave, Hasan Hasa, spikaste si një qytetar dhe familjar model i Shkodrës, gjë e cila u pasqyrua qartë edhe në përcjelljen me shumë nderime për në banesën e fundit nga një numër i madh qytetarësh shkodranë, por edhe shumë të tjerë të ardhur nga rrethet e tjerë të Shqipërisë, si dhe edhe nga Ulqini, vendi prej nga e ka edhe origjinën e tij familjare.

Për kontributin e tij si futbollist i Vllaznisë si dhe më pas si trajner i moshave, nga duart e të cilit dolën emra të spikatur të futbollit shkodran, Hasa Hasa është nderuar nga Presidenti i Republikës Sali Berisha në vitin 1993 me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të tretë, me motivacionin: “Ish futbollist që ka punuar me pasion dhe devotshmëri në jeten e tij sportive.” Po kështu, Klubi i Futbollit Vllaznia e ka nderuar Hasan Hasën në vitin 2012 me titullin “Mirënjohje-Nderi i sportit shkodran”, për kontribut të shkëlqyer në sportin e futbollit.”

Portali Veriu Sport, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Hasa për humbjen e njeriut të tyre të afërt, dhe njëkohësisht edhe KF Vllaznia, për humbjen e një veterani futbolli që ka kontribuar në historinë e futbollit shkodran.

Në prononcimet e dhëna për Veriu Sport, veterani i futbollit shkodran Rauf Çanga dhe Syrri Bushati, një qytetar shkodran bashkohës i tij, sjellin kujtime duke folur me shumë respekt për karrieren sportive të Hasan Hasës. Prononcime, të cilat, së bashku me pamjet e ngushëllimeve pranë familjes Hasa me rastin e përcjelljes në banesën e fundit të Hasan Hasës, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img