Wednesday, November 19, 2025

Suprprizon Partizani i trajnerit Oltijon Kërnaja, mund Teutën me përmbysje në transfertë 2-3

Lexo

- Reklamë -spot_img

Teuta-Partizani  2-3

Partizani përmbysi disavantazhin 2-0 në “Niko Dovana” të Durrësit, duke arritur një fitore të madhe 2-3. Durrsakët humbën një penallti në rezultatin 2-1 e më pas u goditën nga kundërshtari i mbetur me dhjetë lojtarë.

Partizani arriti një fitore të çmendur në Durrës, ku përmbysi disavantazhin e dy golave dhe me dhjetë lojtarë mori tri pikë që dukeshin të paimagjinueshme në përfundim të 45 minutave të para. Të kuqtë morën iniciativën që në fillim të takimit dhe rrezikuan në minutën e 13-të, ndërkohë që patën mundësinë më të mirë me Tomën, në të 19-tën, kur ai kaloi topin sipër portierit Selmani, por edhe mbi traun e portës së boshatisur.

Në minutën e 32-të, Teuta kalon në epërsi, me një sulm të nisur nga e djathta dhe mbyllur me gjuajtjen e bukur të Maçolli në hyrje të zonës. Durrsakët marrin kontrollin e lojës por edhe të rezultatit, teksa në minutën e 40-të Toli dyfishon avantazhin me një gol olimpik, direkt nga flamuri i këndit.

Duket gjithçka e mbaruar, pasi Partizani duket pa forca reagimi, por gjithçka hapet në minutën e 58-të, kur pas një goditjeje nga këndi Kontreras shkurton diferencën, duke goditur me kokë. Partizani shpreson, por merr menjëherë goditje, teksa vetëm një minutë më pas Arifi pengohet në zonë dhe penallti për Teutën.

E merr përsipër Sela, por godet vetëm shtyllën, duke humbur shansin për të shkuar përsëri dy gola përpara. Dhe në minutën e 66-të ndëshkohet, kur Partizani barazon. Kontreras ndërhyn fare pranë vijës së portës dhe me gjoks shtyn topin në rrjetë. Në gëzim e sipër heq fanellën dhe merr karton të verdhë, çka do të rezultonte fatale për të dhjetë minuta më pas, kur ndëshkohet për herë të dytë dhe del nga loja me kartonin të kuq.

Teuta përpiqet të shfrytëzojë epërsinë numerike dhe sulmon, por në minutën e 82-të është Atanskoski që hyn në zonën durrsake dhe aty pengohet në mënyrë të parregullt, duke fituar penallti. Pas katër minutash, te pika e bardhë shkon Toma, që gjuan qetësisht dhe i jep kryesimin befasues Partizanit.

Teuta është e shokuar dhe sulmon pa ide. Në minutën e 92-të pretendon më kot për penallti, ndërsa Partizani mbrohet mirë dhe pas 99 minutave i gëzohet fitores që e çon në 12 pikë, ndërsa durrsakët humbasin rastin për të kapëcyer Dinamon.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img