I ndarë nga jeta në moshën 73 vjeçare, pas një shqetësimi që ndjeu kohët e fundit, ish volejbollisti i Vllaznisë, Viktor Miraj, u përcoll me shumë respekt dhe nderime nga komuniteti i Shkodrës për në banesën e fundit.

Një humbje shumë e madhe për familjen, por pa tjetër edhe për komunitetin e sportit shkodran dhe atë shqiptar, një pjesë e të cilëve ishin prezent në ditën e lamtumirës për kolegun e fushës së lojës.
Viktor Miraj u nda nga jeta, por pas ka lënë një emër të nderuar dhe karrierë shumë të pasur sportive për gjatë kohë së viteve 70-80 kur luajti përkrah kolegëve të tij: Irfan Boriçi, Xhino Mjedas, Adrian Shirokas, Fatmir Grudas, Mark Kroqi, Gjon Çobas, Adnan Boriçi etj.

Të pezmatuar dhe plot keqardhje për kolegun e sportit, shokun dhe mikun e afët në jetën e përditshme, flasin, Irfan Boriçi, Mark Kroqi, Latif Kashi, të cilët së bashku me Adrian Shirokën e ardhur nga Tirana, Besnik Lishën, Asim Belinoven etj, ishin të pranishëm në ceremoninë e përcjelljes në banesën e fundit, ku trupi i pajetë e Viktor Mirajt u preh në Varrezat e Rrmajt të qytetit të Shkodrës.

Në prononcimin e tyre për Veriu Sport, ato kujtojnë me nostalgji vitet e bukura që kanë kaluar së bashku në karrieren sportive, duke nënvizuar se Viktori ka qënë vazhdimisht pjesë e rëndësishme e formacionit kuqeblu si shuter, e ndërkohë që me superlativa flasin sidomos për kulturën, qytetarinë dhe fisnikërinë që ai përcillte në shoqëri jashtë fushës së lojës.


Ngushëllime për humbjen e veteranit të volejbollit shqiptar Viktor Miraj, përcjell edhe Federata Shqiptare e Volejbollit përmes postimit në faqen zyrtare të institucionit.

“Federata Shqiptare e Volejbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-volejbollistit të Vllaznisë, Viktor Miraj, në moshën 73-vjeçare.
Miraj ishte një emër i respektuar i volejbollit shkodran të viteve ’70–’80, pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë dhe i njohur për kontributin e tij si shuter. Pas një jete të gjatë jashtë vendit, ai u rikthye në Shkodër vitet e fundit, por një sëmundje e rëndë e largoi para kohe.
Familjes Miraj, miqve dhe komunitetit të volejbollit u shprehim ngushëllimet tona më të thella.
U prehtë në paqe Viktor Miraj.”
(Video) Pamje nga ceremonia e përcjelljes në banesen e fundit të ish volejbollistit të Vllaznisë Viktor Miraj, si dhe prononcimet e kolegëve të tij të sportit: Irfan Boriçi, Mark Kroqi dhe Latif Kashi, mund t’i ndoqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



