Ka përfunduar ndeshja e javës së 14-të të Superiores, e cila ka prodhuar një surprizë në Rrogozhinë. Kampionët në fuqi, Egnatia, janë ndalur në shtëpi nga Flamurtari, duke u mposhtur me rezultatin minimal 0–1. Miqtë arritën të shënojnë golin e vetëm të sfidës në minutën e 36-të, pas një aksioni të mirë të finalizuar nga Ramirez, i cili tund rrjetën dhe i jep avantazhin skuadrës vlonjate.
Pjesa e dytë ishte një përpjekje e vazhdueshme e Egnatias për të gjetur golin e barazimit. Kampionët provuan me disa kombinime dhe goditje në portë, por Flamurtari u mbrojt me rregull dhe disiplinë, duke mos lejuar hapësira dhe duke menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer epërsinë.
Kjo humbje vjen në një moment delikat për Egnatian, e cila me vetëm 25 pikë zbret në vendin e tretë të renditjes, duke humbur terren ndaj rivalëve për kreun. Në të kundërt, fitorja u jep vlonjatëve frymëmarrje dhe besim. Me 13 pikë, Flamurtari ngjitet në vendin e tetë, duke u larguar përkohësisht nga zona e ftohtë dhe duke dëshmuar se mund të jetë një rival i pakëndshëm për këdo.



