Futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë mbyllur një tjetër javë pozitive me klubet e tyre, duke vazhduar të jenë protagonistë me gola dhe asiste.
Arbër Hoxha gjeti sërish rrugën e rrjetës me Dinamo Zagreb në ndeshjen ndaj Hajduk Split. Futbollisti kuqezi shënoi në minutat e fundit, duke barazuar rezultatin 1-1. Një pikë e vlefshme për Dinamo Zagreb, që kryeson kampionatin me 32 pikë, një më shumë se Hajduk Split.
Ernest Muçi po kalon një formë të jashtëzakonshme te Trabzonspor. Sulmuesi kuqezi realizoi të dy golat në fitoren kundër Goztepe, ndërsa Trabzonspor renditet në vendin e dytë me vetëm dy pikë më pak se Galatasaray i vendit të parë. Në tre ndeshjet e fundit të kampionatit, Muçi ka shënuar pesë gola.
Rrugën e rrjetës këtë fundjavë e gjeti edhe Arbnor Muja, i cili shënoi në fitoren 3-2 të St. Truiden kundër Club Brugge.
Qazim Laçi dha një asist në barazimin 1-1 të Rizespor në transfertë ndaj Konyaspor. Mesfushori kuqezi shërbeu saktë për Akaydin në fund të pjesës së parë.
Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Medon Berisha, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku dhe Anis Mehmeti.



