Dinamo ka triumfuar në transfertë përballë Flamurtarit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vlorës, përfundoi 0-3. Pas këtij dueli ka folur trajneri humbës, Francesco Moriero.
“Më vjen keq shumë, në pjesën e parë bëmë shumë mirë edhe taktikisht. Siç ndodh, ka edhe gabime individuale, në të parin na ndëshkuan. Më vjen keq, çunat u impenjuan, sidomos në pjesën e parë. Të humbasësh me këtë rezultat, është pak e padrejtë. Bëmë 3 gabime dhe pësuam 3 gola.
Ne këta lojtarë kemi, s’kemi të tjerë me cilësi të tjera. Këtu problemi nuk është taktikë, por me gabimin e parë që bëjmë pësojmë gol. Mund ta quajmë mungesë fati apo aftësi e lojtarëve kundërshtarë. Edhe mua më pëlqen një lojë ofensive. Është e vështirë ta përtypësh, duhet të kemi më shumë karakter dhe të luftojmë më shumë. Futbolli s’ka të bëjë me raste dhe gabime, por me sjellje pozitive në fushë.
Më vjen keq se kemi punuar këtë javë, ekipi tregoi që jemi në fushë, por me gabimin e parë të pësosh gol. Në pjesën e dytë ndryshova diçka, por s’mjaftoi. Shpresoj të rikuperojmë lojtarët edhe kaq, të mendojmë për ndeshjen tjetër.
Në pjesën e dytë është e vërtetë që morën fushën. Në pjesën e parë nuk bënë ndonjë gjë kushedi, morëm gol nga një anësore dhe dyluftim të humbur. Janë gabime që qëndrojnë në futboll përballë një kundërshtari të rëndësishëm që nuk të fal nëse gabon.
Ndeshjet e radhës, Partizani, Teuta, Vllaznia? Pres që të fitoj direkt ndeshjen tjetër, sepse kjo është rruga. Është një diskutim i mbartur, kemi bërë gabime me Partizanin, Tiranën, Elbasanin, Vorën. Ne punojmë gjithmonë, por në momentin që ekipi s’bën gabime, duam të fitojmë, sepse ekipi është aty. Nuk e them se dua të mbroj dikë. Duhet të përmirësojmë disa gjëra, sidomos teknikisht.
Po humbas durimin sepse këtu vendos karrierën time dhe fytyrën time, lojtarë në fushë që nuk vrapojnë. Kështu do të marr masa në vijim. Kemi një president që investon shumë, publik të zjarrtë, nuk e meritojnë”, tha Moriero.



