Trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës së 19-të të kampionatit “Abissnet Superiore”. Java që u mbyll ishte mjaft e luftuar, ku Vllaznia, Vora dhe Tirana arritën fitore të rëndësishme, ndërsa dy sfida u mbyllën në barazim.

Formacioni i javës është përzgjedhur sipas skemës 1-4-4-2. Në portë është Igor Aleksovski i Flamurtarit, ndërsa linja e mbrojtjes përbëhet nga Andrey Yago i Vllaznisë, Serjan Repaj i Vorës, Bruno Dita i Dinamo City dhe Henri Zuna i Vorës.
Mesfusha përfshin Ibrahima Diallo të AF Elbasanit, Klinti Qato të Vllaznisë, Rafael Silva të Tiranës dhe Serge Tabekou të Tiranës, futbollistë që u dalluan për paraqitjet e tyre gjatë javës.
Në repartin e sulmit janë përzgjedhur Jurgens Olivera i Teutës dhe Sherif Kallaku i Vllaznisë, dy lojtarë që dhanë një kontribut vendimtar në rezultatet e skuadrave të tyre.
Trajneri më i mirë i javës së 19-të është shpallur Edi Martini. Tekniku i Vllaznisë udhëhoqi skuadrën drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Egnatias, duke ngushtuar diferencën në vetëm katër pikë me ekipin kryesues të kampionatit.



