Tirana në volejboll për meshkuj i ka mbyllur me fitore ndeshjet e saj në Kupën e Shqipërisë në grupin B. 16 pikë për bardheblutë e Arben Sakos, të cilën në sallën sportive “Farie Hoti” ka fituar 3-1 ndaj Erzenit. Një orë e 55 minuta lojë në një sfidë e cila ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Tirana në fakt i ka marrë lehtë dy setet e para në të njëjtat shifra 25-17. Erzeni shkundet në setin e tretë dhe nën organizimin e Aldo Dashit bën gjithçka për të rihapur lojën. Që nga Vaskonçelos tek Senica, Rama e Arapi apo Bushpepa e hera-herë dhe Malaj. 3-6, 22-23, 23-24 dhe më pas shkohet në pikët shtesë pas së cilës Erzeni fiton 27-25. I katërti është tërësisht për Tiranën, që fiton 25-23 dhe krejt takimin 3-1.
Për meshkuj, të premten Partizani ka fituar me Studentin, 3-0. Partizani, Skënderbeu dhe Tirana në gjysmëfinale, kurse luhet për një vend mes Erzenit e Vllaznisë. Shkodranët të shtunën luajnë përballë Elbasanit në fushën e kësaj të fundit.
Tek vajzat Dinamo ka mundur Vllazninë, 3-0, kurse Pogradeci, Partizanin 3-0. E tanimë Pogradeci e Skënderbeu, por dhe Tirana janë gjysmëfinaliste. Kurse diskutimi është mes Dinamos e Teutës për një vend në gjysmëfinale. Javën e ardhshme nis faza e dytë e kampionatit, si dhe vazhdon Liga “Gjergj Kastrioti”.



