Monday, January 19, 2026

Gëzuar ditëlindjen Bomberi Shkodran, Hamdi Salihi

Lexo

- Reklamë -spot_img

Sot feston ditëlindjen një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, sulmuesi shkodran Hamdi Salihi, “gjahtari” i golave që la gjurmë të thella kudo ku luajti, me fanellë klubi apo me atë kuqezi.

Karriera e Salihit është shembull i qartë i një rruge të ndërtuar mbi punë, instinkt goli dhe profesionalizëm. I rritur te Akademia e Futbollit Vllaznia, ai u aktivizua me ekipin e parë në sezonet 2003–2004, ku në vetëm një sezon e gjysmë numëroi 65 prezenca dhe 38 gola me fanellën kuqeblu, 30 në kampionat dhe 8 në Kupë. Në sezonin e parë shënoi 18 gola, ndërsa në gjysmën e dytë të sezonit pasardhës realizoi plot 20 gola, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të huaja.

Në janar të vitit 2005, Salihi u transferua nga Vllaznia në kampionatin grek te Panionios, për të nisur më pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në disa shtete të botës si Greqia, Austria, Izraeli, Amerika, Kina e të tjerë, ku u dallua gjithmonë si një sulmues tipik zone, vendimtar dhe efikas.

Me kombëtaren shqiptare, Hamdi Salihi ishte një emër i rëndësishëm për gati një dekadë. Nga viti 2006 deri në 2015 ai zhvilloi 50 ndeshje dhe shënoi 11 gola, shumë prej tyre vendimtarë për fatet e kuqezinjve. Edhe pse nuk u grumbullua në Europianin historik të vitit 2016, kontributi i tij në rrugëtimin kualifikues mbetet i pamohueshëm.

Në vitin 2019, Salihi mbylli karrierën si futbollist aktiv me shifrën mbresëlënëse prej 217 golash, duke u renditur i 28-ti në Europë mes 50 golashënuesve më të mirë të shekullit të 21-të. Një statistikë që flet vetë, pasi për këtë periudhë ai ka lënë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror si Totti, Del Piero, Van Persie, Nistelrooy, Di Natale, Mario Gomez, Berbatov apo Dirk Kuyt.

Futbolli shqiptar nuk e “lejoi” të largohej nga skena. Falë vlerave profesionale dhe njerëzore, Hamdi Salihi u bë pjesë e stafit teknik të kombëtares shqiptare, duke realizuar ëndrrën e tij europiane në Euro 2024, këtë herë jo në fushë, por në pankinë, si zëvendëstrajner i kuqezinjve.

Veriu Sport i uron edhe shumë vite të tjera shëndet, suksese dhe kontribut për futbollin shqiptar. Gëzuar ditëlindjen, Bomberi Shkodran!

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img