Sunday, November 24, 2024

Brdariç i kënaqur për kualifikimin, nis menjëherë përgatitjet për Apoloninë në kampionat

Lexo

Fitorja e thellë 7 me 0 ndaj Devollit dhe kualikimi në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë e ka lënë të kënaqur trajnerin e Vllaznisë, Thomas Brdariç. E kishte thënë edhe më herët se skuadra që ai drejton është përgatitur seriozisht dhe se beson shumë që do të ketë një ecuri pozitive në këtë sezon futbollistik. Ndaj, edhe starti me një fitore bindëse që në ndeshjen e parë zyrtare e ka entuziasmuar jo pak kroato-gjermanin që drejton kuqeblutë. “Ishte një fillim i mirë dhe u bënë shumë gola, megjithatë ndeshja u luajt seriozisht. Kështu që mendoj se jo vetem rezultati, por edhe ndeshja ishte e mirë.  Besoj se kemi për ta mbajtur këtë start edhe në të ardhmen.”, tha menjëherë pas ndeshjes, tekniku Brdariç.

Dhe, ndërkohë që vijonte prononcimin e tij për mediat, tekniku i Vllaznisë udhëzoi kolegët e tij të stafit teknik që futbollistët kuqeblu të ridelnin sërishmi në tapetin e gjelbërt të stadiumit “Loro Boriçi”. Nga sa mësuam stafi kishte programuar një seance stervitore e karakterit shkrythës shoqëruar me vrapime rreth fushës si dhe ushtrime aerobike. Koha nuk pret, sepse të mërkurën e ardhshme po në këtë stadium Vllaznia do të luajë ndeshjen e radhës. Këtë herë për kampionat duke pasur përballë Apoloninë debutuese në Superlige. Ndeshje kjo e një rëndësie të veçantë për skuadren kuqeblu, e cila kërkon patjetër fitore për të ecur me të njëjtin hap edhe në Kupë.

Duke folur pikërisht për përballjen ndaj Apolonisë dhe konkretisht i ngacmuar nga gazetarët, nëse Vllaznia do të jetë e tillë në rezultat dhe lojë ashtu si edhe ndaj Devollit, Brdariç tha: ”Unë kam qënë sulmues dhe gjithmonë dëshiroj të shënoj gola sepse është bukur. Sot ishte ajo lojë, realizuam shumë gola dhe shpresoj që përsëri të jenë edhe në ndeshjen e ardhshme me Apoloninë. E rëndësishme është që të vazhdojmë me të njëjtin nivel dhe cilësi loje. Unë mendoj se do të jemi mirë edhe në vazhdim të kampionatit me ndeshjet e tjera.” Sa i përket formacionit, tekniku kueblu paralajmëroi se edhe mund të ketë lëvizje emrash në fushën e lojës. “Mund të them se ne kemi 20 futbollistë në dispozicion dhe ai që ka për të qënë në formen më të mirë, ai ka për të luajtë në formacion.”, tha Brdariç duke shtuar se “në skuadër kemi kualitete, por është vetem fillimi, këtë do ta shohim në vazhdim se si do të paraqiten në fushën e lojës.”. Sfida, Vllaznia-Apolonia e vlefshme për javen e parë të Superliges së futbollit shqiptar është programuar të luhet të mërkuren e ardhshme të 4 nëntorit duke filluar nga ora 16.45.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img