Ballina Lojra me Dorë Basketboll (Video) Vllaznia e Basket Meshkuj me pesë fitore radhazi. Mposhtin edhe Apoloninë...

(Video) Vllaznia e Basket Meshkuj me pesë fitore radhazi. Mposhtin edhe Apoloninë rivale dhe janë të tretët pas Besëlidhjes dhe Tiranës

Vllaznia-Apolonia 79-75(22-19, 20-18, 17-18, 20-20)

Pesë ndeshje-pesë fitore, ky është bilanci i Vllaznisë së basketit për meshkuj. E pesta fitore ka ardhur në përballjen me Apoloninë, ndeshje kjo e konsideruar edhe si kryendeshja e javës së 13-të të Superligës së basketbollit për meshkuj.

Një supersfidë kjo e shoqëruar me një luftë të fortë sportive, rivalitet, dhe në fragmente të ndryshme të takimit edhe me spektakël.

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë, ku fundi i krejt ndeshjes i takoi Vllaznisë, e cila doli fituese me rezultatin 79-75. Ndeshja e luajtur në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës u shoqërua me një rivaitet, i cili ishte i pranishëm  në të katër periodat e takimit.

Dhjetë minutat e para të lojës janë të Vllaznisë, e cila arrin t’i mbyllë në avantazh me rezultatin 22-19.

Kuqeblutë e Llazanit vijojnë të luajnë mirë edhe në periodën e dytë, ku duke e fituar edhe këtë periodë 20-18, shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin plus pesë, 43-37.

20 minutat e pjesës së dytë shoqërohen me të njëjtin rivalitet, ku në dhjetë minutat e periodës së tretë janë miqtë nga Fieri që nën drejtimin e trajnerit grek Kristos e fitojnë me një pikë diferencë 17-18, por pa ndalur kryesimin e Vllaznisë ku pas tre periodave udhëheq 59-55.

Rivaliteti më i madh shfaqet në periodën e katërt dhe të fundit të krejt ndeshjes, ku shifrat e kësaj periode janë të barabarta 20 me 20, ndërkohë që ato përfundimtare flasin për Vllazninë, e cila e mbyll të gjithë ndeshjen me fitore me rezultatin 79-75. Fitore kjo mjaft e rëndësishme, e cila tashmë e shkëput Vlllazninë nga rivalja Apolonia me një pikë më shumë duke u pozicionuar në vendin e tretë pas Besëlidhjes kryesuese dhe Tiranës së vendit të dytë.

Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri i kuqebluve Eni Llazani, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, i cili në pesë ndeshjet e fundit ka realizuar vetëm fitore.

Fitoren e gjashtë radhazi, tekniku Llazani e pret ndaj Partizanit, ku Vllaznia e koshit për meshkuj do ta luajë ndaj Partizanit në transfertë për javën e 14-të të Superligës.

(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Vllaznisë Eni Llazani si dhe pamje nga ndeshja Vllaznia-Apolonia, basket meshkuj(pjesa e dytë), mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu