Vllaznia e volejbollit për meshkuj po bën mjaft mirë gjatë sezonit sportiv 2025-2026. Falë drejtimit kompetent të trajnerit Artan Kalaja dhe kolegut të tij Ermal Kraja, ka arritur të jetë në pozicione optimale duke luftuar në tre fronte.
Në Kupën e Shqipërisë, kompeticion ky ku djemtë kuqeblu janë kualifikuar në gjysmëfinale, Kampionatin Kombëtar ku për mometin renditen në vendin e tretë duke qënë brenda katërshes së parë finaliste të fazës Play-Off, ndërkohë që pretendimet e saj janë edhe në Ligën Shqipëri-Kosovë “Gjergj Kastrioti”.
Takimi i radhës në këtë kompeticion ishte ai i luajtur në sallën sportive “Feti Borova” të kryeqytetit, ku Vllaznia pati përballë ekipin e Skënderbeut të Kosovës. Një ndeshje, e cila u shoqërua me luftë të fortë sportive dhe shumë rivalitet, sidomos në setin e parë ku për të përcaktuar ekipin fitues janë dashur pikët shtesë.
Me rezultatin 25 me 27, fitues të këtij seti janë volejbollistët kosovarë të Skënderbeut. Rivaliteti ka vijuar edhe në setin e dytë, por këtë radhë janë kuqeblutë e Vllaznisë që shkëputen në fund të setit, duke e fituar atë me shifrat 25-22.
Barazimi 1 me 1 me sete rihap takimin, i cili vijon me të njëjtin ritëm edhe në setin e tretë, përfundimi i të cilit është me vetëm dy pikë diferencë, 25 me 23 në favor të Vllaznisë, e cila merr kryesimin e seteve 2 me 1.
Fitorja e setit të tretë, krijon më shumë në entuziazëm dhe besim në kampin kuqeblu, gjë që reflektohet edhe në një epërsi totale të këtij seti, të cilin e mbyllin me fitore 25 me 17 duke dalë fitues të të gjithë ndeshjes me rezultatin 3 me 1.
Si pjesë e grupit A të Ligës “Gjergj Kastrioti” së bashku me Partizanin, Ferizajn dhe Skënderbeun e Kosovës, Vllaznia ka edhe një ndeshje të fundit në mesjavë, atë ndaj Partizanit kryesues për të mësuar më pas renditjen përfundimtare në grup.
Ndërkohë, fundjava rikthen emocionet e Kampionatit për kategorinë e Superligës, ku Vllaznia, e vendit të tretë udhëton në Korçë për t’u ndeshur me Skënderbeun vendas të vendit të katërt. Ndeshje kjo që do të luhet me datë 31 janar në pallatin e sportit “Skënderbeu” të Korçës, ku në të njëjtën ditë do të ballafaqohen edhe ekipet e femrave, Skënderbeu-Vllaznia.



