Kishte kohë që flitej që Velipoja të ishte një alternativë që Vllaznia ta shfrytëzonte për proçesin stërvitor. Klima e favorshme e bregdetit, shumë pranë Ulqinit, aty ku kuqeblutë mbeten të kënaqur me ditët përgatitore dimërore, nxiti drejtuesit kuqeblu të instalohen në një nga hotelet luksoze në qëndër të plazhit, ndërkohë që si fushë stërvitore u përdor ajo e stadiumit “Adriatik” ku luajnë ekipet e Adës.
Një eksperiment ky, që nëse kushtet e terrenit sportiv do të shënojnë përmirësime, nisur edhe nga distanca e afërt me qytetin Shkodrës, Velipoja mund dhe duhet të shndërrohet në një pistë serioze, jo vetëm për Vllazninë, por edhe për ekipet e tjera të Shkodrës dhe më gjërë.
Nga sa mësohet, gjatë ditëve të qëndrimit në Velipojë, kuqeblutë kanë pasur në dispozicion edhe kuzhinën e tyre, me personelin që i shërben gjatë gjithë sezonit në restorantin e stadiumit “Loro Boriçi”, një element ky çka tregon se KF Vllaznia është kompletuar në cilësinë e një klubi profesionist.
Pa u shkëputur nga përgatitjet për pragndeshjen me Teutën, kuqeblutë kanë mbyllur ditët përgatitore velipojake dhe mbrëmjene së enjtes janë kthyer në Shkodër, ku të premten do të zhvillojnë seancën e fundit.
Seancë kjo, ku pritet të bashkohet me grupin edhe sulmuesi Kevin Dodaj, i cili mbrëmjen e së premtes ka mbërritur në Shkodër duke marrë me vete lejeklimin e klubit të tij CSKA e Sofies për huazimin katër mujor me Vllazninë.
Bazuar në programin e hartuar, pas seancës të së premtes, kuqeblutë do të lënë qytetin verior për t’u zhvendosur në Durrës, aty ku do të konsumojnë edhe një seancë tjetër në bregdetin durrsak për të qënë gati të dielën për sfidën zyrtare, Teuta-Vllaznia, takim ky që do të luhet pasditen e së dielës në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit duke nisur nga ora 16:30
(Video) Pamje nga stërvitja e Vllazninë në stadiumin “Adriatik” të Velipojës.



