Ngjarja e ndodhur një ditë më parë gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë, ku Christian Eriksen u rrëzua në fushë pa ndjenja pas një arresti kardiak duke alarmuar ka ngritur peshë gjithë botën e futbollit, e cila që në momentet e para të ngjarjes dhe në vazhdim vazhdon të solidarizohet me futbollistin danez, me shpresën dhe urimin që ai të rikthehet sa më shpejt në fushat e futbollit.
Në vazhdën e mesazheve solidarizuese, edhe ndeshja Angli-Kroaci u paraqit me mesazhe solidarizuese.
“Urimet më të mira, Christian” shkruhej në tabelën elektronike të stadiumit Wembley që në hapje të sfidës së sotme, Angli-Kroaci. Në tribuna gjithashtu një tifoz i Tottenham shfaqej me fanellën që i përkiste danezit, tani një lojtar i Interit.
Një banderolë e shfaqur nga Suedia gjatë trajnimit të sotëm i kushtohet gjithashtu: “Kämpa Christian” (Lufto, Kristian).
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, ka qënë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që ka përcjellë zyrtarisht mesazhin solidarizues me futbollistin danez, Christian Erikson përmes një letre që ai I ka dërguar homologut të tij danez, Jesper Møller.
“Me tronditje të thellë e përjetova atë moment kritik kur Christian Eriksen bëri që e gjithë bota të mbante frymën nga ankthi dhe në të njëjtën kohë duke na bërë të gjithë bashkë në lutjet tona për ta kthyer gjendjen e tij në normalitet. Ndihem i emocionuar për forcën e pabesueshme që ai shfaqi për të luftuar për jetën e tij, për t’i rikthyer paqen e brendshme familjes së tij dhe të gjithë tifozëve të përlotur në stadium dhe padyshim për gjithë komunitetin e futbollit. Sot ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe të solidarizuar me lojtarin, besimplotë se ditët e bukura janë padyshim përpara. Përsëri, personalisht dhe në emër të çdo futbolldashësi shqiptar, dua të shpreh inkurajimin tim dhe urimin më të sinqertë që Eriksen të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur në normalitet për të gëzuar jetën dhe familjen e tij. Eriksen, mendimet tona janë me ty dhe të presim në fushën e blertë sa më parë!”, shkruan kreu i FSHF-së Armand Duka në letrën e tij dërguar presidentit të Federatës Daneze të Futbollit, Jesper Møller.