Mali i Zi-Shqipëri 1-2(Shënues: Armisa Kuç 67’/Megi Doçi 70’, 76’)
Formacioni i Shqipërisë: Antigoni Hyska (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Mikaela Metalla, Fortesa Berisha, Ilarja Zarka, Qëndresa Krasniqi, kapitenia Megi Doçi. Trajner: Armir Grima

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për vajza e nis në mënyrën më të mirë fazën për kualifikueset e Botërorit 2027.
Futbollistet kuqezi të drejtuara nga trajneri shkodran Armir Grima luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë duke qënë mysafire në Malin e Zi. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Nikshiçit u mbyll me fitoren e kombëtares së Shqipërisë me rerzultatin 1 me 2.
10 minutat e para ishin të kontrolluara dhe të barabarta nga të dyja ekipet. Mali i Zi krijoi një rast të rrezikshëm, por topi u kontrollua mirë nga portierja Hyska.
Mundësia më e mirë për skuadrën tonë erdhi në minutën e 17-të me Fortesa Berishën, e cila hyn nga e djathta në zonë dhe godet, por topi pritet nga portierja kundërshtare. Edhe në minutat në vijim, kuqezezat patën disa raste të mira për të kaluar në avantazh me Berishën, Krasniqin dhe Doçin, por nuk arritën të finalizonin. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0.
Fraksioni i dytë nisi me një moment të rrezikshëm nga përfaqësuesja malazeze, por ishim me fat. Në minutën e 51-të, skuadra jonë ishte pranë golit të avantazhit. Krasniqi kros në zonë, gjen Doçin, e cila godet me kokë, por portierja pret sërish.
Pak minuta më vonë, vajzat tona humbin një tjetër shans të mirë me Franjen. Pas një kombinimi të bukur, Krasniqi pason me kokë për Franjen, e cila gjuan mbi traversë.
Ekipi nuk ndalet në kërkim të golit dhe në minutën e 64-t krijon një tjetër mundësi të artë për epërsinë. Krasniqi pason për Fortesën, por topi ndalet nga portierja. Topi mbetet në zonë dhe Doçi provon menjëherë, por portierja malazeze tregohet vendimtare duke grushtuar dhe shpëtuar rezultatin.
Në momentin tonë më të mirë, vendaset kalojnë në avantazh me golin e realizuar në minutën e 67-të nga kapitenia Kuc.
Barazimi nga skuadra jonë vjen shumë shpejt, pas tre minutash, falë golit të kapitenes Doçi. Krasniqi dërgon bukur topin në zonë, ku Megi Doçi ndodhet në vendin e duhur dhe realizon për 1-1.
Në minutën e 76-të vjen edhe goli i avantazhit për Shqipërinë. Sërish protagoniste është Megi Doçi, e cila shënon një eurogol nga goditja e dënimit, duke vulosur rezultatin 1-2 për Shqipërinë.
Një fitore me karakter, besim dhe shumë dëshirë nga skuadra jonë, që e nisi këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Shqipëria e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Botërorit kundër Çekisë më 7 mars, në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Hyrja do të jetë falas dhe ndeshja do të transmetohet në FSHF Tv.



